Ançeloti “mbyll” merkaton e Realit dhe sfidon rivalët: Ndaj Barçës s’ka miqësore

Reali po përgatitet në qendrën e tij stërvitore në Valdebebas, teksa nga java e ardhshme, “Los Blancos” do të nisin një tur në SHBA. Me rastin e turit amerikan, trajneri Karlo Ançeloti dhe portieri Tibo Kurtua kanë folur për mediat ndërkombëtare. Mes të tjerash, në konferencën për mediat, Ançeloti ka folur për merkaton e Madfridit, duke e cilësuar të mbyllur, ndërsa është ndalur dhe tek opsionet që do të ketë në sulm, pas dështimit për të firmosur me Kilië Mbape dhe largimit të Luka Joviç.

HAZARD SI “9” FALS

“Unë mendoj se kemi disa alternativa në këtë pozicion. Benzema është pa diskutim numri një. Por nuk duhet të harrojmë se sezoni që vjen do të jetë disi i veçantë me Botërorin në mes. Ideja ime është ta shoh Hazardin në këtë pozicion. Duke parë cilësitë e tij, unë mendoj se ia vlen të provojmë Hazardin si nëntë false, por edhe si pykë. Unë mendoj se ai është pak a shumë si Asensio”, ka thënë Ançeloti.

MERKATO

“Nuk mund të flas me garanci të plotë për merkaton në hyrje, por besoj se e kemi mbyllur me afrimet. Nuk kemi ndër mend të firmosim me askënd. Unë mendoj se jemi të kompletuar”.

FAZA PËRGATITORE

“Kemi nisur nga puna prej më shumë se një jave dhe punët po shkojnë mirë. Do të kemi një pjesë të parë të përgatitjeve shumë të rëndësishme. Do të udhëtojmë për në SHBA, ku do të përballemi me rivalë të fortë”.

KLASIKJA NË LAS VEGAS

“Ndaj Barcelonës nuk ka miqësore, nuk do të jetë e tillë as kjo në SHBA. Barcelona është klubi për të cilin gëzojmë respektin më të madh. Ata janë rivali ynë kryesor. Jam i bindur se do të shijojmë një ndeshje spektakolare dhe shumë të luftuar”.

TÇUOMENI DHE RYDIGER

“Janë dy afrime të rëndësishme për ne. Ata ofrojnë një rritje cilësore për skuadrën. Për pozicionet që kanë, jam i bindur se kemi afruar dy më të mirët që na mundëson merkatoja. Rydiger është një qendërmbrojtës i shkëlqyer, Tçuomeni gjithashtu një mesfushor i tillë. Ai është mjaft i ri dhe ka një të ardhme të madhe përpara. Shpresoj që të ambientohen sa më shpejt me ekipin”, ka thënë trajneri i Realit të Madridit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *