Anëtar i bandës së Cërrikut që vrau 6 gardistët në ’97, ekstradohet nga Greqia Bashkim Buzani

Është ekstraduar nga Greqia, Bashkim Buzani, pjesë e Bandës së Cërrikut që në vitin 1997 vranë 6 gardistë. Grupi ku bënte pjesë Buzani grabisnin dhe dhunonin furgonët që vinin nga Kapshtica.

Interpol Tirana/Ekstradohet nga Greqia një shtetas i dënuar me 20 vite burg, për disa vepra penale

Nga Zyra Qendrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Greqia drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Bashkim Buzani, 50 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të vendimit të vitit 2005, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila e ka dënuar me 20 vjet burg, për veprat penale “Organizatë kriminale” në formën e pjesëmarrjes  në organizatë kriminale, “Vjedhja me armë” dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas, më datë 04.04.2005, është arrestuar në Greqi, për llogari të autoriteteve greke, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe Gjykatë a Apelit Selanik, me vendimin e datës 12.10.2005, e ka dënuar me 16 vjet burg.

Pas kryerje së dënimit për llogari të autoriteteve të drejtësisë greke u bë ekstradimi i tij drejt vendit tonë.

Rrethanat e ngjarjes/Në trazirat e marsit të vitit 1997, Bashkim Buzani ka qenë anëtar i një bande të armatosur. 

Nga procedimi penal numër 45 i Prokurorisë rezulton se më datë 23 maj 1997, rreth orës 8:30 në qytetin e Cërrikut janë goditur me armë zjarri punonjësit e Gardës së Republikës dhe forcat e policisë lokale nga disa persona. Nga këto goditje kanë gjetur vdekjen Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoi. Nga hetimet e kryera rezulton se më datë 22 maj 1997 është sulmuar Posta e Policisë së qytetit Cërrik dhe janë larguar me forcë punonjësit e saj. Të nesërmen Garda e Republikës dhe policë nga Elbasani kanë shkuar në Cërrik për të rivendosur rendin. Personat nën hetim Llazar Bicja dhe Meti Bozi, të informuar mbi këtë lëvizje, më datën 23 organizuan në qytetin e Cërrikut një grup personash të armatosur, me qëllim goditjen e forcave policore. Në mëngjes në lagjen nr. 3 të qytetit Cërrik, Bicja dhe Bozi kanë takuar shtetasit Arjan Toska, Luftar Toska, Besnik Toska, Alban Toska, Sokol Buzani, Bujar Buzani, Tomor Buzani, Bashkim Buzani, të cilët i kanë nxitur për të goditur forcat e policisë që do të lëviznin nëpër qytet. Për masakrën e Cërrikut përfundimisht si autorë të dyshuar tashmë në duart e drejtësisë janë 9 persona.

Fillimisht ky grup u krijua nga një bandë e armatosur personash në lagjen nr. 3 në Cërrik, me qëllim mbrojtjen e tyre nga një bandë tjetër. Më pas, me kalimin e kohës, duke marrë tiparet e një grupi të armatosur me një formë bashkëpunimi të veçantë prej shumë vitesh, anëtarët e grupit kryenin vepra të ndryshme si vrasje dhe grabitje me armë.

Ky grup grabiste dhunshëm furgonat me refugjatë që vinin nga Kapshtica, duke zbritur në tokë refugjatët, të cilët i rrihnin dhe i poshtëronin. Gjithashtu, shtetasi Bashkim Buzani, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit, ka grabitur disa banesa dhe lokale të ndryshme.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *