Nuk është vetëm Pepe që promovon tezën e konspiracionit në lidhje me favorizimin e pretenduar të Argjentinës në “Katar 2022” për njëfarë “shtyrje” të Lionel Messit drejt finales dhe fitores së Botërorit të këtij fundviti, “duke eliminuar çdo pengesë potencialisht të rrezikshme, para së gjithash Cristiano Ronaldon”.
Këtyre deklaratave iu bashkangjitet edhe mesfushori Bruno Fernandes, i cili tashmë ishte partner i CR7 te Manchester United. “Tani e dimë se si funksionon, – tha mesfushori për çështjen e arbitrimit, referuar Marok-Portugali, ku bëri drejtësi argjentinasi Facundo Tello. – Para ndeshjes e dinim se çfarë na priste dhe çfarë arbitri do të kishim në fushë.
Nuk e di nëse do t’ia japin trofeun Argjentinës. Nuk më intereson, gjithsesi them atë që mendoj. Është shumë e çuditshme të gjykohesh prej një arbitri nga një vend ende në garë. Në këtë Botëror nuk ka gjyqtarë portugezë, por në çerekfinalen e parafundit dërguan një nga Argjentina, tashmë e sigurt për gjysmëfinalen…”
Edhe Anglia duket e dërrmuar pas disfatës ndaj Francës në çerekfinalen e Botërorit të Katarit. Pavarësisht dy penalltive të akorduara nga Wilton Sampaio për kombëtaren e “Tre Luanëve” (gabimi i kapitenit Kane në penalltinë e dytë ishte fatal), vendimet e arbitrit brazilian u kundërshtuan nga anglezët.
Nëse trajneri Southgate preferoi të mos e komentonte arbitrimin pas ndeshjes (“është e kotë të flasësh për të. Urime Francës, nuk mund të kishim bërë më shumë”), ka nga ata si Gary Neville që nuk i kursen kritikat e forta. Lidhur me performancën e Sampaio, ish-futbollisti anglez nënvizoi: “Arbitri? Një makth absolut. Në disa momente mendova se e gjitha ishte një shaka”.