Për nëntë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët shpenzuan rreth 1.67 miliardë lekë ose rreth 13.6 milionë euro për sigurimin e pronave.
Sigurimi i pronës është një produkt ligjërisht vullnetar, megjithëse pjesa më e madhe e kontratave lidhen me kreditë bankare, çka e bën faktikisht një produkt të detyrueshëm. Si rregull, bankat i ofrojnë huamarrësit mundësinë e zgjedhjes së kompanisë ku dëshiron ta sigurojë pronën që vendos si kolateral për kredinë. Megjithatë, duke qenë se për këtë produkt agjent shitjeje janë kryesisht bankat, një ndikim mund të kenë edhe komisionet e ofruara nga secila kompani. Kjo mund t’i bëjë bankat që t’i orientojnë klientët drejt atyre siguruesve që ofrojnë komisionet më të larta për to. Fakti që tregu ka një shkallë të lartë përqendrimi në pak kompani mund të shpjegohet edhe me marrëdhënien që ato kanë arritur të vendosin me bankat tregtare.
Mbështetur në të dhënat e AMF, deri tani në Shqipëri rezultojnë gjithsej rreth 38 mijë prona të siguruara. Megjithëse numri i kontratave të sigurimit është rritur me 11% krahasuar me një vit më parë, përdorimi i këtij produkti sigurimi nga shqiptarët ngelet në nivele të ulëta dhe i lidhur kryesisht me sigurimin e kolateraleve për kreditë bankare. As tërmeti i rëndë i nëntorit të vitit 2019 nuk ka sjellë një “shkundje” të mirëfilltë lidhur me rrezikun e dëmtimeve në pronë nga fatkeqësitë natyrore. Pas tërmetit, qeveria shqiptare u shfaq e orientuar për ta bërë sigurimin e pronës të detyrueshëm, nëpërmjet ngritjes së një skeme të posaçme që do të administrohej nga një kompani publike, sipas modelit që aplikohet në Turqi. Por, drafti i përgatitur nga AMF për këtë qëllim duket se është harruar sërish sirtarëve dhe qeveria deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore për këtë qëllim.
/Burimi: MONITOR/