Bordi i Transparencës deklaroi këtë të shtunë një rritje të çmimeve të naftës, benzinës dhe gazit natyror në vend. Sipas Bordit, keto masa janë të detyrueshme dhe hyjnë në fuqi menjëherë nga dita e sotme deri në datën 1 Prill. Por ky urdhër, siç duket nuk është i vlefshëm për të gjithë. Pasi ka edhe nga ato pika karburantesh, që kanë preferuar të qëndrojnë modestë me çmimet e tyre. Pa bërë një përpjekje të shtuar, për të fituar në kurriz të të tjerëve.
Gazetari Ferdinand Dervishi ka fotografuar sot në Tiranë një nga këto biznese (të cilat ai i quan jo- oligark), i cili vazhdon që të mbajë çmimin që kishte.
“E shtunë, 26 mars 2022. Ky jo-oligark nuk i është bindur çmimit të ri të bordit të “transparencës”. Nuk e ka ngritur çmimin e naftës. Një provë e plotë dhe e pakundërshtueshme se KM ynë punon për oligarkët dhe anasjelltas. Një provë shteruese që konfirmon se çmimi i naftës së rafinuar për konsum nuk duhet të reflektohet në tregun shqiptar ashtu si pasqyrohet online rritja apo ulja e çmimit të naftës bruto në tregun botëror”, shkruan Dervishi duke e shoqëruar këtë shënim, edhe me një fotografi karburanti ku çmimi nuk është rritur.