Pas anulimit të mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, parashikuar për t’u mbajtur sot në Gjakovë, i menjëhershëm ishte reagimi i qeverisë së Kosovës. Sipas zëdhënësit të qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziut, anulimi i njëanshëm nga ana e Ramës u bë shkak që mos të nënshkruhen 13 marrëveshjet e reja që ishin parashikuar. Kjo është hera e parë, nënvizon Kryeziu që një takim i tillë bilateral, anulohet në mënyrë të njëanshme.
‘Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkrueshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato. Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëashme.’- njofton qeveria e Kosovës.
Reagime ka pasur edhe nga partia opozitare PDK, e cila e quan anulimin e mbledhjes si alarmuese. Kryetari Memli Krasniqi në rrjetet sociale shkroi se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama vendosi anulimin e mbledhjes së 2 qeverive në Gjakovë, pas refuzimit të Albin Kurtit për një takim të një formati më të ngushtë. Rama tha se është 100% kundër qëndrimit të Kurtit për krizën në veri, ndërsa paralajmëroi se plani i rëndë i BE për sanksione mund të vihet shpejt në lëvizje.