Gjykata e Apelit dënon përfundimisht me 21 vite burg Hektor Mahmutaj për vrasjen e një fermeri në Fier në vitin 1997. Mahmutaj u ekstradua nga Anglia më 1 shtator 2020, ku kishte shkuar i fshehur në një kamion dhe përdorte 13 identitete të ndryshme.
Në korrik të vitit 1997 Mahmutaj qëlloi vrau Gentjan Jahaj, në vendin e quajtur “Kurrizi i Sinanit”, ku bëhet bashkimi i rrugës nacionale me rrugën e fshatit Kutë, të Fierit.
Më 14 prill 2000 Gjykata e Fierit e dënoi me 25 vite burg në mungesë për akuzën e vrasjes “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake.
Dhjetë vite më pas i dënuari paraqiti kërkesë për rishikim të këtij vendimi dhe më datë 23 tetor 2020, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier vendosi pranimin e kërkesës dhe dërgoi çështjen për rigjykim me një tjetër trup gjykues pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier.
Më 11 mars 2022 Gjykata e Fierit e shpalli fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burgim, në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme.
47 vjeçari ankimoi vendimin në apel duke kërkuar që të shpallet i pafajshëm.
Më 14 qershor 2023, Gjykata e Apelit e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar Genti Dokollari dhe anëtar Iliba Bezati dhe Fuat Vjerdha, vendosi: lënien në fuqi të vendimit dhe e dënon përfundimisht me 21 vite burg.
Si u arrestua në Britani
Në 2018 Hektor Mahmutaj u arrestua nga autoritetet britanike me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Në tetor të 2018 një gjykatë britanike pranoi kërkesën që ai të ekstradohej në Shqipëri, por e la të lirë me kusht kundrejt garancisë 10,000 mijë dollarë deri në momentin e ekstradimit të tij. Këto momente shfrytëzoi Hektor Mahmutaj për tu arratisur.
Ai u ekstradua më 1 gusht 2020 në Shqipëri ku rinisi betejën gjyqësore për akuzën e vrasjes për të cilën akuzohej dhe që kishte ndodhur në 1997.