Apeli i xhaxhait të Arjan Salës: Rama dhe Meta më ndihmoni, të paktën të kemi një trup që ta qajmë

Kur kanë kaluar më shumë se 48 orë nga zjarri i rënë në magazinën te qendra tregtare, xhaxhai i Arjan Salës bën një thirrje dëshpëruese. Xhaxhai i tij, iu është drejtuar me një thirrje të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta për ndihmë, që të gjejnë të paktën trupin e tij, pasi shpresat për ta gjetur të gjallë i kanë shuar totalisht.

“Nesër e mbrapa nëse thirrja ime nuk dëgjohet nga askush, nuk besoj se policia do na kundërshtojë, por do të heqë uniformën dhe do të futet bashkë me ne që të kërkojmë kockat e djalit. Zjarrfikësit nuk është se nuk janë profesionistë, por i kanë shkrirë mundësitë e tyre. Ju lutem zoti kryeministër, zoti President na kushtoni pak kohë, mblidhuni për një hero që shpëtoi jetë njerëzish. Të mos shkojë i humbur, të kemi ku ta qajmë me diçka të vogël. Kërkoni ndihmë nga shtetet fqinje, nga ato që kanë ndihmuar edhe në tragjeditë e mëparshme”, tha xhaxhai i tij.

Arjan Sala ndodhet ende brenda magazinës që u përfshi nga flakët që prej të mërkurës rreth orës 16:00. Vatra e zjarrit është shuar, por për shkak të tymit të fuqishëm është e vështirë ndërhyrja nga brenda, kjo edhe për shkak se raftet, muret rrezikojnë të shemben për shkak të nxehtësisë së lartë që kanë pasur ku temperaturat kanë shkuar rreth 1000 gradë. Sala punonte si shef i sigurimit në këtë magazinë me qira ku ishin magazinuar materiale si këpucë e rroba, çka kanë bërë që flakët të jenë të përmasave të mëdha. Paraprakisht raportohet që zjarri ka qenë një shkëndijë eklektike, por po vijojnë hetimet.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *