Sali Berisha do të qëndrojë i izoluar në shtëpi edhe me vendim të Apelit të Posaçëm. Verdikti që u shpall sot nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, nuk u prit mirë nga avokati i ish- kryeministrit.
Genc Gjokutaj e cilësoi skandal vijimin e masës së sigurisë arrest në shtëpi.
“SPAK po merret me lojën e kungulleshkës, provat që paraqet mbrojtja nuk i pranojnë, SPAK po bën akt antikushtetues, një skandal i radhës, ne do të vijojmë rrugën ligjore”, tha ai.
Mbrojtësit e Berishës thonë se arresti në shtëpi ndaj deputetit Berisha është antikushtetues. Sali Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion me privatizimin e ish kompleksit sportiv partizani që dikur ishte një pronë publike. Prokuroria thotë se Berisha nxorri akte nënligjore që të favorizonte dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Edhe ky i fundit u la në izolim shtëpiak nga Apeli i Posaçëm, po sot. Ndërsa ditë më parë të njëjtën vendimmarrje e pati edhe Gjykata e Lartë.
Deri më tani, Berisha ka dështuar në të gjitha betejat e tij ligjore për të rifituar lirinë.