Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për Elsi Levendin, i akuzuar për vrasjen e ish menaxherit të VIP-ave Jurgen Kurti. Ai është dënuar me 16 vite burg por përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 10 vite e 8 muaj në burg.
Njoftimi i plotë:
Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale E.L, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal.
Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 18.03.2019, ku në rrugën “Zef Jubani” Tiranë, rreth orës 22:15, është vrarë me armë zjarri shtetasi me iniciale J.K, i akuzuar për këtë ngjarje është shtetasi me iniciale E.L.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 523, datë 01.03.2021 ka vendosur:
Deklarimin fajtor të të pandehurit E.L, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasit J.K, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 16 (gjasjtëmbëdhjetë) vjet burgim.
Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri E.L do të vuaj 10 (dhjetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:
– Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e masës së dënimit me 25 vjet burgim.
– Nga i pandehuri me iniciale E.L, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, pasi çështja penale për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim nuk duhej të fillonte.
Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 02.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr.523 datë 01.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.