Sot në orën 14:00, në Gjykatën e Apelit në Tiranë pritet të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj deputetit të PD-së Ervin Salianji në lidhje me skandalin “Babale”, ku në qendër ishte vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Kujtojmë se Ervin Salianji është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg, por këtë dënim ai dhe Kryesia e Partisë Demokratike e konsideron politik. Ndërkohë, vetë deputeti Salianji ka bërë të ditur se do të jetë në seancën gjyqësore.
Gjatë një takimi me strukturat e selisë blu në Korçë, Salianji pohoi se do jetë në gjyq por vëmendja duhet të jetë tek organizimi i protestës.
“Nesër unë do jem aty, do jem i pranishëm në seancë ashtu siç kam bërë çdo herë tjetër. Drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar, nuk hetohen, s’ka përballje por ka akuza ndaj gazetarëve dhe njerëzve që denoncojnë. Unë nesër do jem aty, por tani fokusi është te protesta, organizimi i qytetarëve. Shumica e grupit parlamentar ka shprehur qëndrimin se do jetë pjesë e protestës. Alibeaj dhe Bardhi kanë qëndrimet e veta, varet se ku e vendos objektivin dhe fokusin, secili ka arsye për të protestuar kundër Ramës. Qëndrimet e mia janë publike”, tha ai.