Anëtarja e KPK, Etleda Çiftja është shpallur e pafajshme edhe nga Apeli i GJKKO. Kujtojmë se GJKKO e shpalli të pafajshme komisioneren e Vettingut, por SPAK ankimoi vendimin në Apel.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Igerta Hysi (anëtare) dhe Daniela Shirka (anëtare), sot më datë 12.01.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 73 akti, datë 17.10.2022, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kundër vendimit nr.48, datë 16.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
1. “Deklarimin e pafajshëm të të pandehurës E.Ç, për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve” parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal, pasi fakti nuk përbën vepër penale.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurës E.Ç, për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, pasi fakti nuk përbën vepër penale”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupionit dhe Krimit të organizuar, kërkoi më herët dënimin me 18 muaj burgim për Etleda Çiften, në akuzën e Deklarimit të rremë e fshehjes së pasurisë, si dhe të Falsifikimit të dokumentave.