Aplikimet për ‘Green Card’/ Avokati amerikan: Nga 1 tetori, të gjithëve do t’u kërkohet vaksinimi anti-Covid me detyrim

Avokati amerikan Kieran Both ka njoftuar për të rejat e fundit të emigrimit në SHBA për qytetarët shqiptarë.

Sipas av. Both, duke filluar nga data 1 tetor, 2021, Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS-i) si dhe Departamenti Amerikan i Shtetit do t’u kërkojnë të gjithë aplikantëve për green card – me disa përjashtime – që të vaksinohen kundër Covid-19-ës.

Kur dikush aplikon për të marrë green card në Shtetet e Bashkuara, zakonisht duhet t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor. Ky kontroll duhet të kryhet nga një mjek i autorizuar nga USCIS-i.

USCIS-i cakton disa mjekë (të cilët njihen me emrin “civil surgeons”) që të kryejnë kontrollin mjekësor të cilit duhet t’u nënshtrohen të gjithë personat që aplikojnë për green card.

Mjekët ushtarakë janë gjithashtu të autorizuar që të kryejnë kontrollin mjekësor në fjalë pranë qendrave ushtarake të trajtimit mjekësor brenda Shteteve të Bashkuara për personat që janë veteranë, për anëtarët e ushtrisë amerikane si dhe për anëtarët e familjes që kanë në varësi.

Kontrolli mjekësor që bëhet jashtë Shteteve të Bashkuara dhe territoreve të saj duhet të kryhet nga një panel physician (mjekë të trajnuar, me licencë dhe përvojë të cilët ushtrojnë profesionin jashtë SHBA-së dhe njihen nga konsullata apo ambasada e SHBA-së). Panel pysicians ndryshojnë nga civil surgeons. Ata caktohen nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ofrojnë që të kryejnë kontrollin mjekësor që kërkohet nga emigracioni si pjesë e proçesit për marrjen e vizës në një ambasadë apo konsullatë amerikane jashtë shtetit.

Të gjithë aplikantët që do të bëjnë kontrollin mjekësor me një civil surgeon apo panel physician më ose pas 1 tetorit, 2021 duhet të marrin dozat e plota të vaksinës kundër Covid-19-ës si dhe të paraqesin dokumentacionin e vaksinimit. Ky ndryshim prek të gjithë ata që do të plotësojnë formularin I-693, Report of Medical Examination and Vaccination Record, më ose pas datës 1 tetor, 2021. Atyre që e kanë përfunduar plotësisht formularin I-693 dhe vazhdojnë ta kenë të vlefshëm, nuk u kërkohet që të vaksinohen kundër Covid 19-ës.

Civil Surgeon-i duhet të kontrollojë dhe të konfirmojë dokumentacionin e paraqitur nga aplikanti që dëshmon marrjen e të gjitha dozave të nevojshme të vaksinës kundër Covid-19-ës. Një shqyrtim siç duhet i dokumentave të vaksinimit nënkupton provën e vaksinimit, kopjen e kartelës mjekësore me të dhënat e futura në të nga mjeku ose personeli i duhur mjekësor.

Një raportim nga vetë personi se i ka marrë dozat e nevojshme të vaksinës i pashoqëruar nga dokumentacioni përkatës me shkrim, nuk do të pranohet. Formulari I-693 duhet të plotësohet nga civil surgeon-i dhe të dokumentojë llojin dhe numrin e dozave të vaksinës kundër Covid 19-ës që janë dhënë.

“Përjashtime: Bëhen përjashtime për aplikantët që janë tepër të vegjël në moshë për të marrë vaksinën, për ata të cilëve u bën reaksion vaksina ose që nuk kanë mundësi për të bërë cilëndo nga vaksinat e aprovuara, në vendet ku jetojnë. Gjithashtu, aplikantët mund t’i paraqesin kërkesë USCIS-it që t’i përjashtojë nga ky detyrim, për shkak të bindjeve të tyre fetare apo morale. USCIS-i pritet të paraqesë së shpejti formularin e përditësuar I-693 si dhe instruksionet përkatëse”.

Kontrolli mjekësor përfshin rishikimin e problemeve mjeksore që personi ka patur në të kaluarën si dhe një kontroll të përgjithshëm fizik. Mjeku do t’ju bëjë gjithashtu analiza për disa sëmundje ngjitëse si tuberkulozi, sifilisi dhe gonorrea. Pas kontrollit, doktori plotëson formularin I-693 dhe e fut në një zarf të mbyllur. USCIS-i nuk do ta pranojë formularin në fjalë nëse ai paraqitet në një zarf të hapur apo të cilit i janë bërë ndryshime.

Gjithashtu, ju kujtojmë se për të përmbushur kërkesën që CDC-ja u ka paraqitur të gjithë pasagjerëve që mbërrijnë me avion në SHBA, sipas së cilës duhen paraqitur prova që nuk janë të infektuar me Covid-19 ose janë shëruar nga Covid-19-a (“Requirement for Proof of Negative COVID-19 Test or Recovery from COVID-19 for All Air Passengers Arriving in the United States”), përpara se të marrin avionin për në Shtetet e Bashkuara, këta pasagjerë, mes të cilëve përfshihen dhe ata që po aplikojnë për status refugjati apo emigranti (green card), duhet të paraqesin dëshmi që rezultati i testit të Covid-19-ës i kryer brenda tre ditëve përpara nisjes ka qenë negativ, ose që e kanë kaluar Covid-19-ën brenda tre muajve të fundit përpara nisjes.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj,” përfundon avokati Kieran Both.

/Burimi: Gazeta Illyria/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *