Nga mesi i muajit tetor deri më 15 nëntor nis sezoni i mbjelljes së grurit.
Për shkak të krizës botërore të mungesës së grurit që filloi pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, qeveria vendosi që këtë vit të mbështesë me subvencione direkte në vlerën e 30,000 lekëve fermerët që kultivojnë jo më pak se 1 ha grurë.
Skema synon rritjen e të mbjellave me grurë, por edhe për të lehtësuar kostot e fermerëve nga shtrenjtimi i çmimeve të inputeve bujqësore. Deri tani sipas të dhënave të AZHBR për “Monitor” kanë aplikuar 7,400 fermerë. Nga Ministria e Bujqësisë u saktësua gjithashtu se ky numër aplikimesh është për 40% të sipërfaqes së tokës bujqësore që mbillet me grurë (konkretisht për 20,000 ha). Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë sipërfaqja e kultivuar me grurë në vendin tonë për vitin 2021 ishte 54,514 ha me një prodhim prej 225,171 ton.
Numri aktual i aplikimeve sipas Ministrisë së Bujqësisë tregon se interesi është i lartë, pasi edhe skema krijon avantazh. Nuk përfiton kush aplikon i pari, por ai që mbjell sipërfaqe të lartë (jo më pak se 1 ha) pasi aplikon dhe dorëzon dokumentacionin për blerjen e farën dhe inputeve bujqësore, ndihma financiare prej 30,000 lekë do t’i disbursohet brenda 31 dhjetorit 2022.
Aplikimet për subvencion nisën më 1 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 23 shtator. Pavarësisht se skema konsiderohet avantazhuese për shkak së eliminimit të burokracive të aplikimit dhe masës së përfitimit financiar për të mbuluar shpenzimet e farës dhe inputeve bujqësore, jashtë saj kanë mbetur fermerët e vegjël që kultivojnë sipërfaqe grurë nën 1 ha, të cilët po vuajnë kostot e larta nga inputet bujqësore dhe çmimi i naftës. Kastriot Silo nga fshati Potgozhan i Mokrës së Sipërme për herë të parë pas 5 vitesh i rikthehet kultivimit të grurit. Arsyeja është shtrenjtimi i çmimit të miellit. Ai ka nisur mbjelljen e 5 dynym grurëve dhe shpenzimet për farën dhe inputet bujqësore janë në vlerën e 20,000 lekëve. Kastrioti shpjegoi për Monitor se nuk mundi të shtonte sipërfaqen e të mbjellave me grurë, çka do t’i jepte mundësitë e përfitimit të subvencionit, pasi nuk arrin të përballojë koston e lëvrimit të tokës me traktor, ndërsa aktualisht zonat rurale po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore.
“Çmimi i lëvrimit të tokës me traktor është dyfishuar nga 1,000 lekë për dynym, këtë vit është 2,000 lekë për shkak të shtrenjtimit të naftës. Për 5 dynym kemi paguar 10,000 lekë. Problem në fshat është edhe mungesa e fuqisë punëtore. Nuk gjen me njerëz të punojnë tokën dhe për këto arsye e kemi të pamundur të zgjerojmë sipërfaqen me të mbjella. Disa kanë emigruar jashtë, të tjerë kanë zgjedhur të jetojnë në qytet”. Situatë është e ngjashme edhe për disa fermerë të tjerë të kësaj zonë, të cilët pohuan se nuk kanë shtuar sipërfaqet e mbjella, duke mbetur në të njëjtën sasi të vitit të kaluar, për shkak të mospërballimit të kostove.
Mbështetja për kultivimin e grurit, për sipërfaqe të mbjellë është për jo më pak se 1 ha, në vlerë 30.000 lekë/ha. Përfitues për masën mbështetëse mund të jenë fermerë individualë, persona fizikë, juridikë, apo shoqata të bashkëpunimit bujqësor. Sipërfaqja totale bujqësore e shfrytëzuar e Shqipërisë është 1,174,081 hektarë, e strukturuar 611, 346 ha tokë are (50,7%), kullota dhe livadhe janë 478,081 ha (40,7 %), dhe 84,654 ha (7,2%) janë kulturat shumëvjeçare sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural./monitor