Ish-zv.kryeministri dhe ministri i Financave Arben Ahmetaj ka humbur ditën e sotme privilegjin e pasaportës diplomatike që e kishte përfituar si deputet i Parlamentit. Drejtoria e Çështjeve konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i ka drejtuar një kërkesë të gjitha misioneve diplomatike dhe konsullatave shqiptare në botë për shpalljen të pavlefshme dhe jashtë qarkullimit të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt, e cila kishte vlefshmëri deri në vitin 2033. Ministria e Jashtme ka shpjeguar se ky është një veprim që ndiqet për çdo emër që i hiqet imuniteti. Kujtojmë se Ahmetaj është larguar nga vendi muaj më parë, ndërsa ishte vendosur në qendër të hetimeve të drejtësisë lidhur me çështjen e inceneratorëve.
Njoftimi i Ministrisë së Jashtme:
“Procedura për shpalljen e pavlefshme të një pasaporte diplomatike është bërë në bazë të ligjit, një anëtar i Kuvendit të Shqipërisë humbet të drejtën e pasaportës diplomatike me vendim të Kuvendit, për ndërprerjen/humbjen e mandatit të deputetit.
Sipas ligjit, pasi Kuvendi i përcjell shkresën zyrtare se individi nuk gëzon më mandatin e deputetit, MEPJ nis procedurën administrative, e cila bazohet në VKM 389, datë 12.06.2019, “Për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit” pikat 3,4,6,7 dhe Ligji nr. 8668, datë 23.10.2000, i ndryshuar “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, neni 8 dhe neni 9. Bazuar në sa më lart, MEPJ sipas procedurës standarde përcjell njoftimin për shpalljen e pavlefshme të pasaportës në të gjitha përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë”.