Arben Kraja në Kosovë, memorandum për krimin e organizuar, korrupsionin dhe pastrimin e parave

Prokuroria e Shtetit të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar sot memorandum bashkëpunimi me qëllim luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave të tjera penale.

Marrëveshja u nënshkrua nga kreu i Prokurorisë së Posaçme të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Arben Kraja dhe  kryeprokurori i Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi, në kuadër të juridiksioneve të të dyja vendeve dhe në përputhje të plotë me ligjet kombëtare përkatëse. Kjo marrëveshje do të kontribuojë në procesin e integrimit evropian të të dyja shteteve.

Po ashtu, synohet të zbulohen, hetohen dhe të dënohen të gjithë autorët e përfshirë në veprimtaritë kriminale, duke shkëmbyer informacione, dokumente që lidhen me hetimin dhe kompetencat respektive në mes të autoriteteve nënshkruese të këtij memorandumi.

Palët nënshkruese të memorandumit kanë rënë dakort që të promovojnë zhvillimin e kontakteve dhe marrëdhënieve në nivel profesional të zyrave përkatëse, duke i caktuar edhe pikat kontaktuese për shkëmbimin e informacioneve dhe akteve tjera të nevojshme.

Prokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Republikës së Shqipërisë, janë zotuar që të bashkëpunojnë ngushtë me njëra-tjetrën në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *