Arben Meskuti do të vazhdojë të qëndrojë në burg, pas një kërkese për zgjatje afati paraburgimi nga prokurorja Antoneta Sevdari dhe miratimit nga gjyqtarja Gilda Hoxha. Por, një nga dy kokat e skemës së mikrokredive që zhyti në mashtrim të paktën 100 mijë shqiptarë dhe vodhi miliona prej tyre, nuk ka para të paguajë një avokat.
Në vendimin që mori gjykata më datë 19 nëntor të këtij viti, Meskuti u “mbrojt” me avokate kryesisht, d.m.th. që e cakton dhe paguan shteti. Meliha Kuka është avokate që rri te gjykata për hallexhinjtë që s’kanë para. Melihaja mbrojti edhe kokën e mafies së mikrokredive, Meskutin, që ka mbetur pa lekë për të paguar një avokat. Meliha Kuka nostalgjike për histori mashtrimi, para 10 vjetësh, është ekspozuar nga “Fiks Fare” për mashtrimet që bënte bashkë me disa avokatë, kur ishte Kancelare Gjykate në Pukë.
Në kërkesën e prokurores flitet për një akt ekspertimi financiar ku “MCA” dhe “Final” është zbuluar se kanë mbledhur rreth 30 milionë euro nga aktiviteti kriminal. Nga këto, prokuroria ka zbuluar se 8.6 milionë euro dividend nga MCA i ka tërhequr Elda Ibro, 1.4 milionë euro nga Final i ka tërhequr Arben Meskuti, dhe 1.2 milionë euro nga ADCA i ka tërhequr Alban Kote. Ky i fundit u “dorëzua” vetë në polici, në shtator të këtij viti, pasi u “arratis” ca kohë duke fshehur edhe paratë e vjedhura.
Katrahura me skemën e mikrokredive ka “bukosur” prokurorinë e Tiranës dhe SPAK-un, aq sa nuk dinë ku të çojnë dhjetëra fashikuj me prova dhe hetime. Sa dëshmitarë do të thirren në gjyq? Kjo mbetet e paqartë, ashtu si “varfëria” që ka pllakosur në xhepat e Arben Meskutit.
Prokuroria e Tiranës ka burgosur deri tani vetëm tre të implikuar me skemën e mikrokredive: Arben Meskutin, Aldo Dakën, që bashkë me të “dorëzuarin” Alban Kote, janë vetëm tre ish-përmbarues të zyrës famëkeqe “Shërbimi Përmbarimor Zig”. Administratorët e MCA dhe Final janë në liri, bashkë me bankierët që lejuan skemën e që nuk janë prekur fare nga hetimi. Arjana Xhafa e BKT, që bllokoi 100 mijë llogari me urdhër të Olsi Ibros, nuk preket. Ustallarët e Bankës së Shqipërisë nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga e gjithë kjo histori mashtrimi. Zyrtarë të lartë që kanë ngrohur xhepat me skemën e mikrokredive s’po preken. Gjithësesi hetimi nuk ka përfunduar.
Burime nga grupi i hetimit tregojnë se mijëra kredi nuk janë regjistruar fare në Regjistrin e Bankës së Shqipërisë me qëllim që të vidhen paratë e të mos lënë asnjë gjurmë. Ato vlejnë mbi 100 milionë euro. Dhe ky është një skandal akoma më i madh brenda vjedhjes gjigande.
Prokuroria e Tiranës ka kapur zhvatje deri tani 30 milionë euro, ndërsa Arben Meskuti që me një dorë ka futur në xhep 1.4 milionë euro, paraqitet në gjyq pa avokat, me duar në “xhepa”.
Ku shkuan lekët e Arben Meskutit? Një pyetje më shumë për hetimin.