Ditën e sotme Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu, dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, kanë mirëpritur Presidentin e Policisë së Çekisë, Gjeneral Major Jan Švejdar. Ky i fundit ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori i Republikës së Çekisë në Shqipëri, Jaroslav Ludva, nga Oficeri Ndërlidhës i Policisë çeke, Adriatik Shino, si dhe nga drejtuesit e lartë të policisë çeke. Takimi i zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kishte si synim të rënit dakort për nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi midis dy vendeve.
Kujtojmë se në 2019 Policia Rrugore shqiptare u mbështet nga patrullat e Policisë Rrugore Çeke, në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave në monitorimin e shkeljeve të rregulla në rrugë. Në çdo mjet të Policisë Çeke patrullonte një efektiv rrugor shqiptar.
Veliu dhe Švejdar janë shprehur optimistë që marrëveshja e bashkëpunimit për patrullimet e përbashkëta mes dy vendeve të vihet në zbatim sa më shpejt. Veliu ka falënderuar ambasadorin dhe oficerin e kontaktit për kontributin në forcimin e bashkëpunimit mes dy policive. “Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit dhe eksperiencave është shtrirë në disa fusha, qoftë mes drejtorive kundër narkotikëve, në fushën e sigurisë rrugore dhe në drejtime të tjera, por pavarësisht këtij niveli bashkëpunimi duhet të punojmë që ta forcojmë më tej. Një rast shumë i mirë bashkëpunimi është dakordësia dhe gatishmëria për nënshkrimin e marrëveshjes për patrullimet e përbashkëta gjatë sezonit turistik që nisëm që vitin e kaluar, por për shkak të situatës së vështirë globale u pengua implementimi i saj. Shpresojmë që me përmirësimin e situatës kjo marrëveshje të jetëzohet. Ky është një rast i mirë që kolegët e të dy vendeve të shkëmbejnë eksperiencat dhe të mësojnë nga njëri-tjetri”, tha Veliu.
Švejdar u shpreh se bashkëpunimi i deritanishëm mes policive të dy vendeve do të thellohet akoma më shumë në vijim. Ai nënvizoi se Policia çeke do vijojë t’i ofrojë Policisë shqiptare ndihmën dhe eksperiencën e tyre. Švejdar ka siguruar Drejtorin e Përgjithshëm Ardi Veliun, se punonjësit e Policisë çeke që do vijnë të patrullojnë në Shqipëri, do të jenë të pajisur me pajisjet me të mira që disponojnë.