Arens Çela do të jetë drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës. Ky i fundit u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat 3-vjeçar.
Vendi vakant për kreun e Prokurorisë së Tiranës erdhi pas shkarkimit të Elisabeta Imerajt nga KPA.
Kujtojmë se Arens Çela është drejtuesi i përkohshëm deri në zgjedhjen e drejtuesit të emëruar. Elisabeta Imeraj fillimisht u komandua në drejtimin e prokurorisë së kryeqytetit nga ish kryeprokurorja Arta Marku dhe më pas u emërua në nga KLP, pasi u konfirmua në detyrë nga komisioni i pavarur i kualifikimit.
“Si pasojë e shkarkimit të drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, znj. Elizabeta Imeraj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur urgjent për caktimin e përkohshëm të drejtuesit të kësaj prokurorie,” thuhej në njoftimin e KLP-së.
Sipas njoftimit, emri i Çelës u propozua nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës dhe u votua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. KLP hapi gjithashtu garën për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Tiranës.
Por, kush është Arsens Çela?
Arens Çela ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. Më pas, Çela ka drejtuar prokurorinë e Beratit dhe ka mbajtur pozicionin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve. Në janar 2020, Çela u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si ndihmës-magjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme.
Çela u konfirmua në detyrë më 23 mars 2021 me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Dy anëtaret në shumicë të trupës së KPK-së, kryesuesja Pamela Qirko dhe relatorja Firdes Shuli u bindën nga shpjegimet e prokurorit Çela për pasurinë dhe dy kriteret e tjerë të rivlerësimit, ndërsa komisionerja Xhensila Pine votoi pro shkarkimit, pasi konstatoi pamundësi financiare për një apartament dhe probleme me profesionalizmin.
Megjithatë, vendimi i KPK-së nuk u ankimua nga komisionerët publikë dhe për rrjedhojë mori formë të prerë.