Avokati Adriatik Lapaj e ka quajtur të padrejtë arsyetimin e PS-së për refuzimin e kandidaturës së Ledio Brahos për postin e Avokatit të Popullit. Sipas tij, mazhoranca nuk e ka pranuar kandidaturën e Brahos pasi ata duan në atë post dikë të “rracës” së vet dhe se nuk është e drejtë të thuhet se nëse përfaqëson një parti të caktuar politike në gjyq, avokati është i përfshirë. Lapaj tregoi se nëse një krahasim i tillë do të ishte i saktë, atëherë edhe nëse përfaqëson një kriminel në gjyq i bie që avokati të jetë kriminel.
Sipas tij çdo shtetas që plotëson të gjitha kërkesat sipas nenit kushtetues, ka të drejtë të kandidojë për Avokatin e Popullit. Avokati akuzoi mazhorancën se nuk dëshirojnë të emërojnë në këtë post një njeri normal, pas i frikësohen vendimeve të tij.
“Argumenti është idiot, po pse more se unë përfaqësoj një trafikant droge në gjykatë domethënë se i ndaj paratë me të? Po pse more se unë përfaqësoj një parti politike domethënë se jam anëtar i saj? Po më fal more, këta kanë zgjedh president anëtarë partish që e ndalon kushtetuta, këta i kanë zgjedhur dy herë, si nuk zgjidhkan këta një njeri që ka përfaqësuar dy herë parti politike.” – u shpreh Lapaj.
Sipas Lapajt, personat që e njohin ligjin kanë detyrimin të tregojnë se si qëndron e vërteta.