Pas martesës së saj sekrete me Dalton Gomez, Ariana Grande ditën e sotme ka vendosur të ‘kënaqë’ fansat e saj duke publikuar disa foto nga dasma por edhe nga përgatitjet që ajo ka bërë. E veshur me një fustan të bardhë klasik nga ‘Vera Wang’ dhe një vello të theksuar, Grande duket e mrekullueshme.
Dalton Gomez siç duket edhe nga fotot, ka preferuar që të veshë një kostum klasik të zi të dizenjuar nga ‘Tom Ford’.
Sipas Vogue, prindërit e Arianës e shoqëruan atë drejt altarit ku edhe ja ‘dorëzuan’ mashkullit të cilit 27-vjeçarja i tha ‘PO’. Në ceromoni kanë marrë pjesë vetëm njerëzit më të afërt me dhëndrin dhe me nusen.
Menaxheri i Grandes, vetëm 2 ditë pas ceremonisë konfirmoi se ishte diçka intime e shumë sekrete, dhe se të ftuar ishin më pak se 20 persona. Gomez i propozoi Grandes në dhjetor 2020 me një unazë diamanti që kishte kuptim të veçantë për yllin e muzikës pop, pasi perla dukej se vinte nga një unazë që i dha gjyshja.
Çifti filloi lidhjen në fillim të vitit 2020 duke e konfirmuar vetëm disa muaj më vonë në videoklipin e saj “Stuck with U”. Ata bashkëjetuan në Los Anxhelos gjatë gjithë pandemisë dhe përfundimisht lidhja e tyre u bë zyrtare në Instagram verën e kaluar.
Kjo është martesa e parë dhe fejesa e dytë e Ariana Grande, pasi ajo më parë ishte në një marrëdhënie me komedianin e ‘Saturday Night Live’ Pete Davidson me të cilin u nda në vitin 2018.