Nisja e punimeve në aeroportin e Vlorës, blerja e dronëve ushtarak turq që tashmë është zyrtarizuar, apo përurimi i banesave të ndërtuara pas tërmetit në zonën e Laçit, mund të jenë disa nga arsyet e një vizite të Presidentit turk Erdogan në Shqipëri pas disa kohësh.
Zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin, ka zhvilluar të premten një takim në Tiranë me kryeministrin Edi Rama. Kjo u bë e ditur nga mediat turke.
Ka qenë vetë Kalin ai që ka deklaruar se Turqia është në bashkëpunim me Shqipërinë në industrinë e mbrojtjes, teksa tha se “paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë është paqja dhe stabiliteti ynë dhe gjithashtu paqja dhe stabiliteti i Ballkanit”.
Ai para gazetarëve u shpreh se, është takuar me Ramën dhe se kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale. Krahu i djathtë i Erdogan tha se, ishte takim jashtëzakonisht produktiv.
“Pra, është në interesin tonë të përbashkët të forcojmë autoritetet shqiptare të sigurisë kundër terrorizmit, trafikimit të qenieve njerëzore, trafikut të drogës ose krimeve të ngjashme”,- tha Kalin para gazetarëve.
Mediat turke shkruajnë se pas disa muajsh Erdogan do të bëjë një vizitë zyrtare në Shqipëri.
“Siç e dini, gati 600 kompani turke kanë biznese dhe investojnë në sektorë të ndryshëm në Shqipëri sot. Po kështu, njerëzit tanë vijnë këtu dhe vëllezërit tanë shqiptarë vijnë shpesh në Turqi. Në mënyrë që të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë në të gjitha këto fusha dhe të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë në fushat e arsimit dhe kulturës, ne do të vazhdojmë punën tonë edhe në të ardhmen”,- deklaroi zëdhënësi i presidencës turke, Kalin.
Ai nënvizoi se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë vazhdojnë të forcohen dhe se dy vendet do t’i vazhdojnë intensivisht punimet për thellimin dhe zgjerimin e lidhjeve në fusha të ndryshme.
Lidhur me miratimin e buxhetit shtesë nga ana e parlamentit shqiptar për të blerë dronë nga Turqia, Kalın tha se, bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes është i rëndësishëm dhe shtoi se, ky bashkëpunim do të vazhdojë në mënyrë që të mbështetet siguria, paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë. Ai garantoi se 500 banesat e ndërtuara në Shqipëri pas tërmetit do të finalizohen në gusht dhe t’u dorëzohen pronarëve.
/Priza.al/