Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për 10 muaj burg për ish-zv ministren e Brendshme Rovena Voda. Sipas SPAK, Voda është fajtore për akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar ndaj saj është 10 muaj burg, si edhe 3 vjet heqje e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike. Edhe për dy të bashkëpandehurat e tjera të kësaj dosjeje, Florida Beu dhe Majlinda Hasani gjykata dha nga 10 muaj burg. Në seancën e kësaj të enjteje, u lexuan edhe konkluzionet e mbrojtjes.
Nëpërmjet avokatit të saj Voda ka mohuar të ketë ndikuar për të siguruar një vend pune për shtetasen Florida Beu. Kujtojmë se SPAK kërkoi dënimin e Vodës me 1.6 vite burg, ndërsa për Beun dhe Hasanin, prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin e tyre me nga 15 muaj burg.
Sipas dosjes hetimore, në cilësinë e zv.ministres së Brendshme, Voda ka përfituar 1 mijë euro, një aparat telefonik celular dhe një arkë peshk nga dy persona, me qëllim punësimin e Florida Beut si specialiste në Ministri.