Detaje të reja janë zbuluar lidhur me sekuestrimin e armëve të zjarrit, tip pistoletë që kishin si destinacion Britaninë e Madhe. Armët që kishin si destinacion Britaninë e Madhe janë gjetur brenda një furgoni që i përket agjencisë së transportit “Sihana Transport”.
Kjo kompani operon në vendin tonë që prej vitit 2021, por është e regjistruar edhe në Britaninë e Madhe, në zonën e Lutonit, ku pronar është Guxim Sefolli. Pronari jeton në Britaninë e Madhe, por në maj të vitit 2021 emri i tij u përmend nga një tjetër operacion i Policisë së Shtetit. Po në mjetet e tij u gjetën dhe u bllokuan 124 mijë paund, që gjithashtu po transportoheshin nga Britania e Madhe në drejtim të Shqiërisë. Ndërsa dje, u gjetën armë që do të dërgoheshin në vendin ishullor.
Ndaj dhe hetimet kanë përfunduar në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa aktualisht nën hetim është vetëm shoferi i furgonit ku u gjetën armët, Jetmir Koloshi. Teksa është marrë në pyetje, ai ka deklaruar se nuk e njeh personin që ka lënë “porosinë” për në Angli, por ka përmendur edhe një zonë në Allias, e cila u kontrollua dje. Po ashtu, hetuesit kanë sekuestruar pamjet filmike të një lavazhi që ndodhet pranë magazinës që bën transportimin e mallrave drejt Britanisë së Madhe, për të identifikuar personin që ka lënë armët e zjarrit në pako.