Armina Mevlani dhe Shkëlzen Berisha kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë më 25 shtator. Ata organizuan një dasmë spektakolare me 300 të ftuar. Mirëpo, kurioziteti i madh i fansave ka qenë se pse pikërisht çifti u martuan pas 9 vitesh lidhje.
Kjo pyetje i është bërë edhe Arminës në një “intervistë” me ndjekësit në Instagram, ku ajo ka treguar se në fakt ‘ka qenë faji i saj’.
Blogerja ka bërë të ditur se Shkëlzeni i ka propozuar gjashtë vite më parë, por ajo ka dashur çdo gjë me plan dhe kur ajo të ndihet gati.
“E kam fajin unë. Shkëlzeni më ka propozuar në 2016, por unë doja çdo gjë me plan. Për shembull në 2018 fejesën dhe në 2020 dasmën. Më dukej 2020 viti ideal për tu martuar. Por, thonë mos bëni plane se Zoti qesh me ju dhe ashtu ndodhi”, ka shkruar Armina krah një fotoje ku shfaqen të dy.
Kujtojmë që më herët ajo ka thënë se dy nga momentet më emocionuese të dasmës së saj, ishin fjalimet e vjehrrit të saj, Sali Berishës dhe të atit, Arben Mevlani.
“Edhe për mua fjalimet e doktorit dhe të babit kanë qenë pjesa më emocionuese. Nga babi e prisja por nga doktori jo me thënë të drejtën, të thoshte diçka kaq të ndjerë e të lartësojë femrën dhe ti japë femrës respektin dhe lëvdatat e duhura. Akoma e shikoj videon dhe mund të them se ka qenë ndër surprizat më të bukura të asaj mbrëmjeje”, u shpreh blogerja e prekur.