Komandanti i burgut të Idrizovës, Sërgjan Dimitrievski dhe dy policë të tjerë janë arrestuar pas arratisjes spektakolare në Maqedoninë e Veriut. Ata janë dërguar në burgun e Shutkës dhe u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tetë ditësh.
Gjykata Penale vlerësoi se komandanti dhe policët mund të largoheshin nga vendi, pasi kishte indicie se kanë ndihmuar të burgosurin Bekim Memeti që të arratiset, duke pasur parasysh se ka një sërë lëshimesh në procedurën e shoqërimit të tij.
“Komandanti dhe policët u mbajtën në stacionin policor tërë ditën, pas çka, u morën në pyetje në Prokurorinë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku ka repart policor për ndjekje të personave me kompetenca policore. Prokurorja Lile Stefanova ka dorëzuar propozim për caktimin e paraburgimit, i cili është pranuar. Njëri nga policët edhe më tej është në mjekim, ndërsa ai është shoferi ndaj të cilit i burgosuri ka gjuajtur para se të arratiset”.
Ende nuk dihet nëse do të propozohet shkarkimi i drejtorit të burgut të Idrizovës, Shpend Tahiri për arratisjen. Ndërsa gjatë arratisjes një pjesëtar i policisë së burgjeve ka mbetur i plagosur dhe po kurohet në Klinikën e Shkupit. E gjithë ngjarja nisi kur të burgosurin Bekim Memetin po e kthenin për në burgun e Idrizovës dhe disa persona të panjohur i kanë prerë rrugën e furgonit të policisë dhe janë përleshur me armë zjarri me policët.