SPAK nis procedurat për ekstradimin e ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla në Shqipëri.
Një ditë pas publikimit të lajmit për arrestimin e ish-kryeprokurorit Llalla më 10 dhjetor në Romë, Itali, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e tij nga Italia në Shqipëri.
Kush është Adriatik Llala dhe si nisën hetimet ndaj tij?
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe qëndroi në këtë post deri në vitin 2017. Më 15 mars të vitit 2018, ai u vu nën hetim për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”. Përfundimin e hetimeve e njoftoi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit të Organizuar dhe Krimit të Organozuar e cila ngriti dhe akuzën zyrtare për Llallën: Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, të kryer tri herë. Ish-Kryeprokurori u dënua në muajin maj të këtij viti nga Shkalla e Parë me 2 vite burg, për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste. Ai u shpall fajtor për fshehjen e shpenzimeve për familjarët e tij në Gjermani në vlerën e 7050 eurove, fshehjen e shpenzimeve për lindjen e djalit në Amerikë në vlerën e 7700 dollarëve si dhe shpenzimet për ndërtimin e katit të 3 të banesës së tij.
/Priza.al/