Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar pas deklaratave të Greqisë lidhur me arrestimin e Fredi Belerit, kandidatit të opozitës për Bashkinë e Himarës.
“Blerja e votave është vepër e rëndë penale në legjislacionin tonë dhe organizatat tona ligjzbatuese e kanë prioritet luftimin e saj në kohë zgjedhjes. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, përfshi vëllezërit dhe motrat nga minoriteti grek që marrin pjesë në zgjedhje”, shkruan Xhaçka në reagimin e saj në Twitter.
“Kandidatura e Fredi Belerit, një qytetar i Shqipërisë që garon për t’u zgjedhur nga bashkëqytetarët e tij nuk garanton ndonjë trajtim të veçantë. Ai është i barabartë para ligjit si gjithë të tjerët. U takon prokurorëve dhe gjykatësve që të merren me këtë çështje sipas dëshmive”.
Xhaçka i bëri thirrje autoriteteve greke që të mos nxitohen në deklaratat e tyre. “U kërkojmë me respekt miqve tanë grekë në Athinë që të monitorojnë nga afër zhvillimet për këtë çështje me durim, duke lejuar drejtësinë shqiptare të bëjë punën e vet pa presione të jashtme dhe mesazhe përçarëse. Shumë mirë që informohet Brukseli, por duhet të presim edhe që të dalin faktet”.