Arrestimi i efektivit të RENEA-s, PD: Katër të tjerë ruajnë shtëpitë e mafiozëve me miliona euro

Partia Demokratike e ka konsideruar përfshirjen e efektivit të RENEA-ve, Rael Luli në trafikimin e lëndëve narkotike si pasojë të produktit të aleancës së Edi Ramës me krimin.

Në një reagim në Facebook, deputeti i zgjedhur Enkelejd Alibeaj shkruan se katër efektivë të tjerë ruajnë shtëpitë e mafiozëve me miliona euro, ndërsa pak më herët janë prangosur edhe dy efektivë e 1 nënkomisar të këtij reparti për trafik kokaine. Sipas Alibeajt, me bekimin e Ramës, krimi është futur brenda radhëve të policisë.

Reagimi i plotë: 

RENEA, reparti elitë i Policisë së Shtetit është infiltruar nga narkotrafikantët. 2 efektivë dhe 1 NënKomisar të këtij reparti janë arrestuar në pak kohë për organizim dhe trafik kokaine. Raportohet se 4 të tjerë ruajnë shtëpitë e mafiozëve me miliona euro. Kjo nuk është rastësi, por produkt i aleancës së Edi Ramës me krimin, një model që ka prodhuar degradim të organizatës së Policisë dhe ka braktisur policët që shërbejnë me ndershmëri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë.

Përgjimet e antimafias italiane dëshmojnë për implikim masiv të kupolës së Policisë  së Shtetit në trafikun e kanabisit. Tashmë, shumica e shqiptarëve e di që teksa vendi kthehej në Kolumbinë e Europës me urdhër politik për të financuar shkatërrimin e zgjedhjeve, forcat e policisë përdoreshin si roje të parcelave me hashash dhe si punëtorë krahu për të ngarkuar skafet me lëndë narkotike.

Me bekimin e Edi Ramës krimi ka shtrirë duart mbi policinë, sepse ato janë të njëjtat duar që i shërbejnë  për të vjedhur zgjedhjet dhe për të mbajtur me çdo kosto pushtetin. Për shkak të këtij pushteti ilegjitim që ka kriminalizuar politikën, institucionet dhe policinë, qytetarët janë të pasigurt për të ardhmen e familjeve të tyre, të pasigurt për rendin dhe sigurinë. Qytetarët nuk mund të ruhen edhe nga Krimi, edhe nga Policia që paguajnë nga taksat e tyre.

Rael Luli u vu në pranga një ditë më parë pasi akuzohet se ka drejtuar një rrjet trafiku që merrej me shpërndarjen e kokainës dhe kanabisit. Efektivi u arrestua bashkë me katër persona të tjerë. Në banesat e tyre u gjet gjysmë kilogramë kokainë, kanabis, ekstazi dhe armë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *