Arrestimi i Fatos Tushes, Basha: PD denoncime shumëvjeçare të bashkëpunimit të tij korruptiv!

SPAK arrestoi sot kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe si edhe 11 punonjës të tjerë të institucioneve të varësisë me akuzën e korrupsionit. Operacioni erdhi pas zbulimit të aferës korruptive me ndërtimin e një kanali vaditës, projekt me vlerë 24 milion lekë. Sipas SPAK, Tushe në bashkëpunim me të tjerët ka abuzuar me këtë tender duke përfituar shuma të mëdha financiare.

Një fillim të mbarë e ka cilësuar kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushes.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha thekson se arrestimi ka ardhur pas denoncimeve shumëvjeçare të PD. Ndërsa e quan se mund të jetë fillim i mbarë prangosja e Fatos Tushes, kreu i demokratëve shton se kjo do të varet nga aftësia, kurajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin.

“Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë. Por kjo do të varet nga aftësia, kurajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën, dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi,” shkruan Basha.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *