Një debat i gjerë është hapur tashmë në Europë, lidhur me arrestimin e gazetarit kritik Roman Protasevich, për të cilin Bjellorusia detyroi një avion të “Ryanair” të devijohej në Minsk, pavarësisht se itinerari ishte Athinë-Lituani.
Sipas dëshmitarëve që udhëtonin në atë avion, ngjarja ishte shumë e dhunshme dhe nuk e kishin parë asnjëherë në një fluturim.
“Ishte një zhytje e papritur, duke ndryshuar lartësinë në mënyrë drastike. Ishte shumë e dhunshme. Unë kurrë nuk e kam ndjerë këtë në një aeroplan. Të gjithë ishin në shok”,- tha një dëshmitare.
“Të gjithë në aeroplan kishim panik sepse menduam se do të përplaseshim”,- tha pasagjerja lituaneze Raselle Grigoryeva.
Po ashtu ata kanë rrëfyer edhe për gazetarin kritik Protasevich, për të cilin thonë se kur kuptoi që avioni po shkonte në Minsk, ishte shumë i dëshmëruar dhe i trembur.
Vendet perëndimore shprehën indinjatën e tyre të thellë ndaj ndryshimit të detyruar të kursit nga ana e Bjellorusisë, të një avioni në të cilin udhëtonte një student disident dhe që punonte si gazetar.
Bashkimi Europian e përshkroi këtë praktikisht si një “grabitje”, ndërsa Shtetet e Bashkuara folën për një akt “shokues”. Avioni po përgatitet të ulej në Vilnius të Lituanisë, kur papritur ndryshoi drejtim drejt Minskut, gjoja për shkak të një lajmërimi për bombë në bord.
E gjithë kjo u bë në fakt për të arrestuar gazetarin dhe aktivistin bjellorus Roman Protasevich.
26-vjeçari ishte nisur me avionin e “Ryanair” nga Athina. Dëshmitarët thonë se, ai dukej i tmerruar dhe thoshte se në vendin e vet e priste dënimi me vdekje.
Edhe Londra zyrtare po koordinon veprimet e saj me aleatët lidhur me qëndrimin që do të mbajnë, por ministri i jashtëm britanik Dominic Raab, e bëri të qartë se do të ketë pasoja serioze për “veprimin e mistershëm” që ndërmori Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko.
“Mbretëria e Bashkuar është e alarmuar nga njoftimet për arrestimin e gazetarit të televizionit NEXTA Live, Roman Protasevich dhe rrethanat që çuan në uljen e detyruar të avionit në Minsk”,- shkroi ai në Tëitter.
Protasevich, administrator i rëndësishëm i kanalit “Telegram NEXTA Live”, i cili ka mbuluar protestat që shpërthyen në Bjellorusi, pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale gushtin e kaluar, u mor nga policia menjëherë pasi avioni u ul në kryeqytetin bjellorus. Në bordin e tij nuk u gjet asnjë bombë.
/Priza.al/