Arrestohen dy ish- truprojet e ish ministrit Saimir Tahirit, Hekuran Marku dhe Paulin Deda alias Agustin Deda, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar që prej 2 muajsh, pasi dolën në përgjimet e megaoperacionit ‘Shpirti’ dhe janë të dyshuar si të përfshirë në ‘skemën’ e trafikut ndërkombëtar të kanabisit.
Hekuran Marku është arrestuar në Gjermani dhe Paulin Deda është arrestuar në Francë. Prokuroria Posaçme ka dërguar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të bërë të mundur ekstradimin e tyre në Shqipëri.
Por a do të mund të ekstradohen? Kjo është pyetja që ngrihet fill pas arrestimit të sotëm të dy ish-truprojave të Saimir Tahirit, në kohën kur ky i fundit drejtonte ministrinë e Brendshme.
Njëri prej tyre, Agustin Deda ka kërkuar azil politik në Francë me arsyetimin se është i sulmuar politikisht në Shqipëri.Ndërkohë që Hekuran Marku është arrestuar në Gjermani dhe ende nuk dihet nëse edhe ai ka kërkuar azil politik atje ose jo.
Kjo kërkesë i hap rrugë bllokimit të procedurave të ekstradimit, pasi në bazë të ligjeve ndërkombëtare, derisa të shqyrtohet kërkesa për azil ai do të qëndrojë nën masën e detyrimit për paraqitje dhe s’mund të lëvizë jashtë Francës.
/Priza.al/