Në Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Bulqizës si dhe 7 zyrtarë të tjerë të bashkisë janë arrestuar pas një hetimi nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kryetari i bashkisë Lefter Alla, nënkryetarja e bashkisë si dhe 6 zyrtarë të tjerë akuzohen për veprat penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,“Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve”.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, zoti Alla si dhe zyrtarët e tjerë kanë bërë disa shkelje gjatë një tenderi në prill të vitit 2021, për rinovimin e rrjetit të kanalizimeve në zonën e njohur si “Lagja e vjetër” të qytetit të Bulqizës, me një vlerë rreth 3 milionë dollarë. Tenderi u fitua nga dy kompanitë: “Egland Sh.p.k” dhe “BE-IS” Sh.p.k.
Sipas SPAK-ut dy kompanitë në fjalë kanë paraqitur vetëm dokumentacionin, ndërsa punimet janë kryer nga kompania “OE 2AF Albania shpk”, e cila drejtohet nga Aqif Konesha, që ka lidhje shoqërore me kryetarin e bashkisë.
Drejtuesi i kësaj kompanie, Aqif Konesha dhe dy administratorë të tjerë po ashtu janë arrestuar, ndërsa dy zyrtarë të tjerë të kompanive janë lënë në “arrest shtëpie”.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se proçedura e prokurimit dyshohet se është inicuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjet.
Nga hetimet ka rezultuar se personat e arrestuar, përfshirë kryetarin e Bashkisë dhe nënkryetaren kanë favorizur një firmat pjesëmarrëse në tender.
Lefter Alla, mori detyrën e kryetarit të bashkisë në zgjedhjet e muajit qershor të vitit 2019, si kandidat i Partisë Socialiste./VOA