Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu e ka quajtur një skenar terrorizues aksionin e djeshëm të policisë në Spitalin e Traumës ku kanë rënë në pranga 2 mjekë dhe një infermiere për korrupsion.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Shehu thotë se ka mënyra të tjera për të vepruar në rastet e shkeljes së ligjit. Më tej ai shton se ky është një veprim i ulët, plot urrejtje ndaj mjekëve dhe personelit që qeveria bën pasi këta duhet të akuzohen jo mjekët.
“Dje Spitali i Traumës, nën një skenar terrorizues! Sepse terrori është mjet i regjimit për të sunduar!
Ishte një veprim plot urrejtje ndaj mjekëve e personelit, për të fajësuar ata për shëndetësinë “ose paguaj ose vdis”, të katandisur nga Rilindja!
Si dikur, kur goditeshin në publik “grupet armiqësore” të intelektualeve, mjekëve, inxhinierëve, artistëve etj, për të mashtruar e nënshtruar një popull. E turpshme ajo që ndodhi dje në atë spital ndaj një mjeku në detyrë, kur ka shumë mënyra të tjera të përshtateshme e demokratike për të vepruar në raste shkelje te ligjit.
Policë, mjete, skafandra, anti plumb, sikur përpara të ishte ndonjë bandë e tërë kriminelësh të armatosur. Edhe kamera për tu mburrur, me ato skena tragjiko-komike!
Kur në fakt kriminelet, trafikantët, keqberësit e tenderave shumë milionëshe në Euro, përvetësuesit e shumave të inceneratorëve, etj, bredhin lirshëm.
Ndërsa vrasjet e dhuna po bën kerdine, policia e armatosur deri në dhembe “sulmon” një spital.
“Rrëmben” atje një anestezist pa i lënë atij kohë as të heqë edhe uniformën e punës…me veshjet e sallës së operacionit! Mbasi “infiltrohet” dikush aty, veprohet si “rambot” me mjekët (jo me banditët), për të bërë “show”!
Një veprim tipik ky i rregjimeve, që tregon frikën ndaj reagimit popullor për varfërinë, katërfishimin e çmimit të energjisë, të artikujve në përgjithësi, për rrogat qesharake edhe të mjekëve, papunësinë etj. Dhe ndërsa i ”infiltruari” i ofron mjekut 20 mijë lekë, ky i paska marrë, thuhet!
Në realitet këtu kemi të bëjmë edhe me një rast tipik të “stimulimit të krimit” nga ofruesi, vepër e dënueshme kjo”, shkruan Shehu.