U vu në pranga shtetasi në kërkim Brikin Rusta, i cili kërkonte të vriste një 24 vjeçar, për shkak të një konflikti të mëparshëm.
Gjithashtu u vu në pranga shtetasi Emanuel Rrapushi, 24 vjeç, i cili dyshohet se nuk ka kallëzuar krimin për armën dhe drogën e gjetur në banesë e shtetasit Boiken Bahiti, të arrestuar më datë 26.05.2023.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/Vijon operacioni policor i koduar “Plani”.
I shpallur në kërkim për tentativë për vrasje, në kuadër të operacionit policor të koduar “Plani”, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari.
Kapet dhe vihet në pranga edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim të krimit.
Strukturat për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të punës kërkimore të pandërprerë për kapjen e autorit kryesor të dyshuar të një tentative për vrasje në qytetin e Elbasanit, si dhe bazuar në inteligjencën policore, kanë lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga në rrugën “Tomorr Sinani”, shtetasin e shpallur në kërkim B. R., 23 vjeç, banues në Elbasan.
Së bashku me shtetasin B. R., është arrestuar edhe shtetasi E. Rr., 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. Rr, nuk ka kallëzuar krimin për armën dhe drogën e gjetur në banesën e shtetasit B. B., të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Plani”, të zhvilluar më datë 26.05.2023, si dhe ka përkrahur shtetasin B. R..
Nga veprimet hetimore të deritanishme, dyshohet se 23-vjeçari, më datë 26.05.2023, kërkonte të vriste një 24-vjeçar të dënuar 2 herë më parë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, me të cilin ishte konfliktuar më parë. Shtetasi i ndaluar B. R., në pamundësi për të realizuar planin e tij për vrasjen e 24-vjeçarit, si rezultat i presionit të shtimit të shërbimeve në terren, ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar.
Më datë 26.05.2023, në kuadër të këtij operacioni, është shpallur në kërkim edhe shtetasi K. S. (lidhje shoqërore e shtetasit B. R.). Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të implikimit ose jo të këtij shtetasi, në këtë ngjarje.
Ndërkohë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.