Shtetasi me inicialet M.Ç. ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi iu gjet një armë zjarri dhe municion luftarak. Ai u ndalua në rrugën “Lord Bajron”. 40-vjeçarit, banues në Holandë, iu gjetën edhe disa mjete të ndryshme identifikimi.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Chief”.
Qarkullonte me armë zjarri pistoletë, arrestohet në flagrancë 40-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Chief”.
Gjatë operacionit, në rrugën “Lord Bajron”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin M. Ç., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur deh sekuestruar një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, si dhe disa mjete të ndryshme identifikimi.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Ç., 40 vjeç, banues në Holandë, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.