Ndërtimet pa leje duket se kanë marrë një vëmendje të veçantë nga Shteti kohët e fundit. Në kuadër të nismës ‘Bregdeti Ynë’ objektet e paligjshme po shemben çdo ditë nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Por me sa duket kjo gjë nuk ka trembur një qytetar nga Saranda, i cili është arrestuar në flagrancë ndërsa po ndërtonte pa leje brenda truallit të tij.
Policia ka njoftuar se ka arrestuar shtetasin me iniciale L.M., 52-vjeç, pasi është kapur në flagrancë duke kryer ndërtime pa leje. Mësohet se shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë gjatë kontrollit të territorit në Ksamil, në lagjen nr.2, kanë konstatuar se brenda vijës së verdhë po kryhej një ndërtim i paligjshëm. Ka qenë kjo arsyeja e arrestimi të pronarit të truallit, i cili akuzohet për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Sipas Policisë, ai ishte duke ndërtuar një objekt shtesë në një objekt ekzistues në truallin në pronësi të tij, i papajisur me leje ndërtimi nga autoritetet kompetentë.
Njofitmi i plotë:
Kryente ndërtime pa leje, vihet në pranga pronari i truallit. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë gjatë kontrollit të territorit në Ksamil, kanë konstatuar se brenda vijës së verdhë po kryhej një ndërtim pa leje. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, i shtetasit L. M., 52 vjeç, banues në Ksamil, Sarandë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u konstatua në lagjen Nr. 2, Ksamil, duke ndërtuar një objekt shtesë në një objekt ekzistues në truallin në pronësi të tij, i papajisur me leje ndërtimi nga autoritetet kompetentë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.