Forcat meksikane të sigurisë kanë kapur djalin e zotit famëkeq të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman, lideri i burgosur i kartelit famëkeq Sinaloa, njoftoi më 5 janar Ministri i Mbrojtjes Luis Cresencio Sandoval.
Ovidio Guzman, i cili konsiderohet një anëtar i rangut të lartë i një karteli të madh droge, u kap në një operacion në qytetin Culiacan në veriperëndim të vendit, raporton AFP.
Pas njoftimeve të para për arrestimin, në qytet shpërtheu dhuna.
Linja ajrore meksikane Aeromexico tha se trupi i avionit që supozohej të fluturonte nga Culiacan në Mexico City është goditur me armë zjarri ndërsa po përgatitej të ngrihej, raportoi BBC.
Ata thonë se nuk ka të lënduar, ndërsa aeroporti është i mbyllur.
Kryebashkiaku Juan de Dios Gamez u bëri thirrje qytetarëve që të mos largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të bllokadave që ndodhën në pjesë të ndryshme të qytetit dhe mësimi dhe aktivitetet e tjera administrative u pezulluan.
Forcat meksikane të sigurisë arrestuan më parë Ovidio Guzmán në vitin 2019, por e liruan për të shmangur kërcënimin e dhunës nga mbështetësit e tij.
Departamenti i Shtetit pretendon se ai dhe vëllai i tij Joaquín mbikëqyrin rreth njëmbëdhjetë laboratorë të metamfetaminës në shtetin e Sinaloa, të cilët prodhojnë 1,300 deri në 2,200 kg drogë në muaj.
Ata gjithashtu thanë se kishin informacione se Guzmán-López urdhëroi vrasjen e një informatori, një trafikant droge dhe një këngëtari të njohur meksikan, i cili refuzoi të këndonte në dasmën e tij.
Në dhjetor, SHBA njoftoi një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacionin që çon në arrestimin ose dënimin e Ovidio dhe tre vëllezërve të tij, të cilët besohet se kanë mbajtur poste të larta në kartelin e drogës.
Ndërkohë, babai i tyre po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në SHBA, pasi u shpall fajtor për trafik droge dhe pastrim parash në vitin 2019.