Saimir Halilaj, oficeri i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë, 50 vjeç është vënë në pranga nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (ShÇBA) pasi akuzohet se ka dhunuar dhe plagosur dy persona. Mësohet se ngjarja për të cilën akuzohet Halilaj, ka ndodhur mbrëmjen e 26 gushtit.
Oficeri i FNSH-së jashtë orarit zyrtar të detyrës është përfshirë në një konflikt fizik me shtetasit A.LL., 53 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme dhe shtetasin R.LL., 15 vjeç, i cili për shkak të konfliktit ka marrë frakturë në krah.
Informacion paraparak:
Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Tiranë ka arrestuar sot në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor S.H., 50 vjeç, me detyrë Trupë Operacionale në Repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/1 i Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetasve A.LL. dhe R.LL., si dhe të dhënave dhe fakteve të administruara nga kryerja e hetimeve paraprake.
Konkretisht, në orët e vona të mbrëmjes së datës 26.08.2021, punonjësi i policisë S.H. (jashtë detyre) është përfshirë në një konflikt fizik me kallëzuesit dhe si pasojë e veprimeve të dhunshme, për shkak të intimidimit me anë të uniformës së Policisë, ai i ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme shtetasit A.LL., 53 vjeç, si dhe frakturë në krah, shtetasit R.LL., 15 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për hetime të mëtejshme.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
/Priza.al/