Vihet në pranga inspektori shëndetësor në kryeqytet. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë informacion se një personi me inicialet M.M, i prezantuar si inspektor pranë Inspektoriatit të Shëndetësisë, shkonte për kontroll në subjekte të ndryshme, tregtarë në qytetin e Tiranës, tek të cilët ushtronte presion se nuk kishin licencimin e duhur për vijimin e aktivitetit.
Ky person, i kërcënonte se do u vinte gjoba deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative. Po ashtu, ‘inspektori’ u thoshte subjekteve tregtarë se një problem i tillë mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës monetare prej 500.000 (pesëqind mije) lekë, por një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve; përndryshe do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative.
Ky person, me detyrë Inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, u vu në pranga, madje iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 (dyqindë mijë) lekësh.
NJOFTIMI I POLICISË:
“Më datë 24.05.2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë informacion se një person i prezantuar si inspektor pranë Inspektoriatit të Shëndetësisë, shkonte për kontroll në subjekte të ndryshme, tregtarë në qytetin e Tiranës, tek të cilët ushtronte presion se nuk kishin licencimin e duhur për vijimin e aktivitetit, dhe se gjoba në këto raste shkonte deri në 1.000.000 (një milion) lekë, si dhe me mbylljen e biznesit deri në likuidimin e kësaj mase administrative.
Sipas informacionit paraprak rezulton se, ky inspektor u thoshte subjekteve tregtarë se një problem i tillë mund të zgjidhej kundrejt përfitimit të parregullt, vetëm pas marrjes prej tij të gjysmës së shumës së gjobës që vihet në raste të tilla, e më konkretisht të shumës monetare prej 500.000 (pesëqind mije) lekë, por një pjesë e kësaj shume monetare duhej të paguhej brenda 24 orëve; përndryshe do vijohej me procedurat administrative të aplikimit të gjobës dhe mbylljes së aktivitetit deri në likujdimin e masës administrative.
Sa më sipër, Prokuroria e Posaçme po më datë 24.05.2023, ka regjistruar kryesisht procedimin penal me Nr.126/2023 për konsumimin e elementëve të veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal. Hetimet për këtë procedim penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit
Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera për interesa të këtij procedimi penal, më datë 25.05.2023, është finalizuar arrestimi në flagrancë i shtetasit M.M, me detyrë Inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, të cilit iu sekuestrua dhe shuma monetare prej 200.000 (dyqindë mijë) lekësh, e përftuar në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftimin e SPAK.