Policia në Bruksel ka vënë në pranga Ilir Meton, shqiptarin e njohur si një nga bosët më të mëdhenj të mafias në Itali. Ai ishte koka e një grupi të organziuar shqiptaro-italian dhe ishte prej 17 vitesh në kërkim nga autoritetet ndërkombëtare.
56-vjeçari i njohur me pseudonimin ‘Il Dottore’, ose ‘Doktori’ u dënua me 14 vite burg në mungesë të tij në vitin 2004, e që prej kësaj periudhe ishte në arrati. Mediat e huaja raportojnë se në vitin 2012, ai u dënua sërish në mungesë me 15 vite burg, sërish për trafik droge.
Raportohet se Meto u arrestua në Saint-Josse, vend ku jetonte me gruan dhe fëmijët. Meto ishte vënë në përgjim prej kohësh nga skuadra antimafia e qytetit të Leçes, e u mbajt në mbikëqyrje deri ditën e arrestimit.
Emri i Metos ka qenë gjithashtu i lidhur me trafikun e armëve dhe banda italo-shqiptare që ai drejtoi me një grup tjetër krimi të organizuar italo-maroken. Këtë javë ai u dorëzua tek autoritetet italiane, ndërsa do të përballet me 29 vite burg.