Ngjarja e bujshme e cila tronditi qytetin e Elbasanit ditën e martë, ku u kap në flagrancë dhe shtetasi në kërkim Nuredin Dumani, i dyshuar për kryerjen e disa vrasjeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Elbasan.
Sakaq, policia edhe në kërkim të personave të cilët kanë përkrahur Dumanin. Një ndër to ka qenë edhe e dashura 20 vjeçare, me origjinë nga Kosova e Nuredin Dumani.
Shtetasja me iniciale M.H, sipas policisë do të procedohet penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore në kuadër të operacionit policor të koduar “Arratia”, i realizuar më datë 29.03.2022, nga DVP Elbasan, në bashkëpunim me forcat RENEA, Departamentin e Policisë Kriminale dhe DVP Fier, për kapjen dhe arrestimin e shtetasit në kërkim Nuredin Dumani, i dyshuar për kryerjen e disa vrasjeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
J. M., 43 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
B. B., 41 vjeç, banues në Fier, me profesion mjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
E. Gj., 36 vjeç, banues në Fier, me profesion ndihmësmjek në qytetin e Fierit, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni është bërë arrestimi i shtetasve:
H. H., 40 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
M. H., 20 vjeçe, banuese në Kosovë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
Po në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndaj shtetasit Nuredin Dumani, 35 vjeç, banues në Durrës, e cila i ka caktuar atij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan është duke hetuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, lidhur me dyshimet për përfshirjen e shtetasit Nuredin Dumani, në vepra të tjera penale apo të lidhjeve të tij me aktivitetet kriminale, me qëllim dokumentimin me prova ligjore dhe zbardhjen e plotë të ngjarjeve për të cilat ka dyshime se ky shtetas mund të jetë autor.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.