Policia italiane arrestoi mafiozin e njohur, Graziano Mesina në ishullin e Sardenjës. Një njësi speciale e karabinierëve arrestoi sot 79-vjeçarin në fshatin Desulo.
Mesina, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në burg dhe është arratisur disa herë, u dënua në vitin 2020 nga gjykata më e lartë e Italisë me 24 vjet burg për trafik droge. Ai u arratis para se të ekzekutohej dënimi. Mesina është një nga kriminelët më të njohur në Sardenjë.
Ai ishte fshehur në shtëpinë e një çifti, miq të tij në Desulo. Mesina nuk kishte shkuar prej kohësh aty, duke qëndruar i fshehur në një zonë tjetër të ishullit për gati një vit e gjysmë.
Në momentin që karabinieria ka hyrë në shtëpinë e çiftit, Mesina nuk ka bërë rezistencë, nuk ka qenë as i armatosur. Sipas detajeve që jep media italiane ai kishte fjetur i veshur dhe i janë gjetur 6 mijë euro cash. Po ashtu nuk ka deklaruar asgjë të vecantë. Kjo u bë e ditur nga gjenerali Pasquale Angelosanto, gjatë konferencës për shtyp në Cagliari pas arrestimit të të arratisurit.
Në pranga ranë edhe çifti i miqve të tij, të cilët akuzohen për ndihmë dhe nxitje.
Graziano Mesina gjatë viteve ’60-’70, ishte kreu i një bande që çoi në rrëmbimin e industrialistëve dhe politikanëve. Mesina u arrestua disa herë, por rregullisht arrinte të arratisej nga burgjet dhe spitalet .
Ndikimi i tij në ishull ishte aq i madh sa, në vitin 1992, ai ndërhyri në një rast rrëmbimi dhe ndihmoi si ndërmjetës në lirimin e një djali të ri.
Rasti mori famë pasi rrëmbyesit i prenë një pjesë të veshit shtatëvjeçarit për të zhvatur një shpërblim. Djali i hotelierit u lirua vetëm pas 177 ditësh. Detajet dhe roli i Mesinës nuk u sqaruan asnjëherë. Në vitin 2004, presidenti i atëhershëm italian, Carlo Azeglio Ciampi e fali. Megjithatë, për shkak se Mesina u arrestua sërish në vitin 2013 për trafik droge, falja iu anulua.
/Priza.al/