Policia Greke arrestoi sot në zonën e Evros, një person nga Gjeorgjia, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e bandës kriminale, e cila vrau 20-vjeçaren britanike, Caroline Crouch. Sipas të dhënave policore, i dyshuari është arrestuar ndërsa po tentonte të largohej nga pika kufitare. Autoritet greke, pasi e kanë ndaluar për verifikim të dokumentacionit, kanë zbuluar se ai kishte pasaportë false.
Gjeorgjani i është nënshtruar analizës së ADN-së, nga e cila ka rezultuar se ka qenë pjesë e një akti tjetër kriminal, të ndodhur më datë 7 Mars, në zonë e Pikermi, Greqi. Raportohet se gjatë kësaj grabitje, autorët lidhën dhe rrahën një çift të moshuarish dhe më pas kanë vjedhur disa para dhe bizhuteri.
Efektivët e policisë po hetojnë nëse i arrestuari është i përfshirë me grupin kriminal, i cili tronditi Greqinë me vrasjen mizore.