Arsyet pse do plasë flluska e ndërtimeve në Shqipëri, fakte, shifra dhe krahasime

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë

Viti 2025 hodhi në ditën e tretë një “overanalyze” të shkruar nga offshorllogu Andi Ballta. Ky është administrator i “Banka Amerikane e Investimeve” SHA. Kjo bankë zotërohet nga SHPK-ja, Institucioni financiar jobankë “Tranzit”. Ky i fundit ka ortakë: “NCH Balkan Fund-L.P” (Ishujt Kajman), “New Century Holdings XI, L.P” (Ishujt Kajman) dhe “Moscopole” Inc (Delaware, SHBA), të tria parajsa fiskale – offshore. Rast unik në botën bankare: një mi (shpk) që mban në shpinë një elefant (sha).

Në rolin e offshorllogut, z. Ballta, shpotiti sot me sprovën e tij analitike https://www.balkanweb.com/flluska-imagjinare-imobiliare-as-do-krijohet-e-as-do-pelcase-ne-2025/ të gjithë opinionistët, specialistët, analistët, gjithologët, mendjexhinjtë dhe mendjexheshat (sipas tij) që i janë frikësuar së koti “flluskës imobiliare,” duke na siguruar të gjithëve se, “Flluska imagjinare imobiliare as do krijohet as do pëlcasë në 2025.”

Ne, si përmbarues privatë, e njohim z. Ballta nga takimi i 13 qershorit 2018, zhvilluar në Hotel Tirana International (Salla Abret). Takim i organizuar nga ish-ministrat A. Ahmetaj dhe E. Gjonaj, në praninë e të gjithë CEO-ve të sistemit bankar, Guvernatorit të BSH-së dhe përfaqësuesve të BB-së dhe FMN-së, mbi temën që ishte kthyer në debat disavjeçar: “Tarifat e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat”.

Në diskutimet e asaj tryeze, spikati ndërhyrja e z. Ballta, që shkaktoi ilaritet mes vetë bankierëve: “E ç’bëjnë përmbaruesit privatë, një copë letër, dhe për këtë duhen paguar?!” Nga ai takim, konstatimi i “tarifollogut” Ballta u kthye në akt nënligjor dyministror (Udhëzimi nr.30/2018). Përmbarimi privat shqiptar filloi tatëpjetën, ndërsa “Tranzit”, “Micro Credit Albania”, “Final”, etj., nisën të përpjetën.

Rezultati 2024 dihet, megjithëse flluska mikrofinanciare nuk ka plasur me të gjithë tollumbacet e saj, përveç dy.

Sot z. Ballta na shpalosi me profesionalizëm mikrofinanciar një panoramë gradaçeliste të ekonomisë, turizmit, tregtisë, qeverisjes, të vetë lumturisë që po përjetojmë (këtë e përçon shpesh muajt e fundit edhe BSH), duke na e paraqitur Shqipërinë si oaz ekonomik pa flluska. Pavarësisht se në analizën optimiste “bankieri” Ballta, ngatërron PDF-në (Portable Document Format/Format i Dokumentit të Transferueshëm) me PDV-në (Planin e Detajuar Vendor).

Në artikullin e tij të dërguar në format PDF nëpër mediat e të gjitha krahëve politikë, z. Ballta pasi na siguroi të gjithëve se në vitin 2025, Shqipëria nuk do të përballet me ndonjë flluskë imobiliare, paraqiti edhe një vizion idilik të ekonomisë sonë, ku rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe kreditimi i qëndrueshëm janë shenja të një tregu të shëndetshëm!

“Bankieri” Ballta arriti majën e analizës së tij kur, mungesën e investimeve për shkak të mosmbrojtjes së tyre nga “sistemi gjyqësor në zhvillim,” e quan SUKSES. Ai shkruan se “është krijuar një stereotip negativ i forcës mbrojtëse të ligjit për investitorë të huaj,” dhe se “rastet e mosmbrojtjes së investitorëve të huaj kanë mbajtur dhe mbajnë larg investitorë spekulativë të huaj në prona imobiliare.”

Ky është bankieri i vetëm në botë që mungesën e sigurisë së marrëdhënieve tregtare dhe qarkullimit efektiv civil, që parësore ka mbrojtjen e kontratave, e konsideron sukses, sepse aty mes investitorëve mund të ketë edhe investitorë spekulativë të huaj.

Z. Ballta as nuk e ka idenë se një ekonomi “pa flluska financiare” duhet të mbështetet në një sistem juridik që ofron mekanizma efektivë për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, apo për ekzekutimin e kontratave tregtare, e jo të godasë PËRMBARIMIN për të ngritur MIKROFINANCAT IMOBILIARE.

Niveli i investimeve të huaja në Shqipëri për shkak të kësaj ideje ishullore, është dukshëm i ulët dhe vetë ekonomia shqiptare mbetet sot një opsion totalisht joatraktiv për investimet e huaja, që (dihet) prej vitit 1990, mbeten ende oksigjeni i zhvillimit tonë tërësor ekonomik.

Misioni jetik i “ekzekutimit” për të ndihmuar shëndetin e ekonomisë, nuk njihet nga offshorllogët e tipit “Ballta,” e as nga “tarifollogët” si ai, të Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë.

PËRSE KEMI NJË EKONOMI TË PAQËNDRUESHME NË SHIFRA (DISA FAKTE)?

👉 Borxhi publik i Shqipërisë, sipas Ministrisë së Financave, arriti në 67.7% të PBB-së në vitin 2024, një ndër nivelet më të larta në rajon. Kjo shifër tregon varësinë e lartë nga huamarrja për të mbuluar defiçitet buxhetore dhe investimet publike. Për krahasim, mesatarja e borxhit publik në Ballkan është rreth 55% e PBB-së.

👉 Deficiti Tregtar – Shqipëria vazhdon të përballet me një deficit të madh tregtar. Në nëntor 2024, eksportet ishin 36.4 miliardë lekë, ndërsa importet arritën 65.8 miliardë lekë. Ky hendek i thellë tregon një varësi të madhe nga importet, veçanërisht për produkte bazë si ushqimet dhe energjia.

👉 Tregu i Punës – Papunësia zyrtare për tremujorin e tretë të vitit 2024 ishte 11.2%. Megjithëse ky është një përmirësim nga vitet e kaluara, papunësia e të rinjve mbetet alarmante, duke arritur në mbi 25%. Një ekonomi që nuk mund të përthithë të rinjtë e saj në treg pune, është vite dritë larg stabilitetit.

👉 Inflacioni – Pavarësisht kontrolleve fiskale dhe ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor në nëntor 2024 ishte 4.6%, duke tejkaluar objektivin prej 3%. Kjo do të thotë se fuqia blerëse e qytetarëve shqiptarë është në rënie, ndërsa kostot e jetesës vazhdojnë të rriten e të rriten.

👉 Imobiliaret – Sipas INSTAT, çmimet e pasurive të paluajtshme në Tiranë janë rritur me 28% brenda tre viteve të fundit. Në lagjet qendrore, çmimet e apartamenteve kanë arritur deri në 5,000 euro për metër katror. Për krahasim, të ardhurat mesatare mujore të një familjeje shqiptare janë rreth 70,000 lekë (~700 euro). Në këto kushte, si mund të justifikohet një rritje e tillë çmimesh?

👉 Reziku real i një flluske – Eksperienca ndërkombëtare tregon se rritjet e papërballueshme në çmimet e pasurive të paluajtshme shpesh paralajmërojnë krijimin e një flluske. Rasti i Spanjës apo ai i SHBA-ve me krizën financiare globale janë shembuj të mjaftueshëm për të qenë vigjilentë dhe jo “të sigurtë” si na buzëqesh “tarifollogu” Ballta. Eksperienca botërore në këtë drejtim, flet vetë.

👉 Ironia e një ekonomie “model” – Në një vend ku varfëria ekstreme prek mbi 15% të popullsisë (shih World Bank, 2023), ku remitancat përbëjnë mbi 9% të PBB-së, duke ruajtur një ekonomi që mbahet nga diaspora, të flasësh për një ekonomi të qëndrueshme është si të thuash, Ishujt Kajman janë në Mesdhe e jo në Karaibe.

👉 Miti urban i Shqipërisë së suksesit me miliona turistë në vit nuk përkon fare me masakrimin mikrofinanciar e social që pësuan mijëra qytetarë shqiptarë nga viti 2015 deri në 2024. “Tranzit” është një prej protagonistëve të mikrofinancave me histori të shumta turizmit të dhimbjes. Fenomeni “Sula” i dhjetë viteve më parë flet më shumë se rastet e 2023-2024, pasi mbetet në arkivat fillestare të skemës së mikrokredive, i paprekur nga shteti apo drejtësia e asaj kohe. https://www.google.com/url?sa=t&source=web&rct=j&opi=89978449&url=https://www.reporter.al/2017/05/16/kamatvonesa-dhe-penalitete-bankat-cenojne-minimum-jetik-te-kreditoreve-ne-veshtiresi/&ved=2ahUKEwje9runs9qKAxUsRvEDHWkDCz0QFnoECBYQAQ&usg=AOvVaw1FBWRhJdJjIc8yoArd9v2L

👉 Shkatërrimi i profesioneve të lira me “pavëmendjen e dedikuar shtetërore” (2015-2024), veçanërisht i atyre ligjore me në krye përmbarimin privat, nuk është vetëm një goditje e sistemit ekonomik dhe juridik shqiptar, por një teh me majë të mprehtë që vazhdon dhe shpon çdo ditë lloje të ndryshme flluskash, aspak imagjinare.

👉 Ashtu si në një letër publike të pak javëve më parë, Dhoma e Përmbarimit ka njoftuar se nuk do heshtë, por do bëhet një zë i fuqishëm kundër padrejtësive që po rëndojnë mbi qytetarët dhe po minojnë çdo ditë e më shumë sistemin e drejtësisë dhe atë të ekzekutimit në Shqipëri.

👉 Modeli “offshore” nuk ka më vend në Shqipërinë 2025 e përtej. Ne nuk do reshtim së bëri thirrje të gjithë mediave, ekonomistëve, bankierëve, analistëve dhe juristëve të bëhemi bashkë në një mision patriotik që mbron ekonominë dhe vetë shtetin tonë nga flluskat ekonomike, mikrofinanciare, imobiliare e të çdo lloji tjetër. Krahas thirrjeve do vijojmë adresimet ligjore derisa ato të marrin përgjigje nga institucionet e drejtësisë.

👉 Ne nuk do reshtim së inkurajuari çdo qytetar shqiptar, që të ketë besim në sistemin bankar shqiptar, në bankat e ndershme dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ndihmë të ekonomisë. Sistemi bankar në Republikën e Shqipërisë nuk mund dhe nuk duhet të identifikohet me “filmin” mikrofinanciar të shfaqur gjithë këto vite, as me protagonistë të veçantë të tij.

👉 Rruga e vetme për të përshkuar një 2025 + 5 pa flluska të shpuara financiare është ajo që na orienton BE për tu integruar brenda saj, e ajo nuk mundet në asnjë rast të kalojë nga parajsat fiskale, por nga investimet e vendeve serioze që e shohin ekonominë tone të siguruar nga ligji dhe të garantuar prej operatorëve të tij.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *