Deizi Arapi, e reja së cilës iu dogj automjeti para shtëpisë pretendon se i ka me emra dhe me fakte personat që e kanë kryer këtë akt.
Gjatë një prononcimi për mediat, e reja nga Korça shprehet se ndihet e rrezikuar, ku thekson se nuk mund të shëtisë më e lirë dhe as të parkojë makinën jashtë shtëpisë pasi do e gjejë sërish në gjendje të djegur.
“Ka qenë i njëjti person që ka qenë mbrëmë duke më ruajtur, kemi shkëmbyer dy fjalë bashkë, por duket që ka qenë në pritje të parkimit të makinës sime dhe më pas të kryente aktin. I lutem shtetit të verë dorën në zemër, është hera e dytë, herën e tretë besoj do më gjeni kanaleve e sigurt. I bëj thirrje shtetit shqiptar se është hera e dytë që më djegin makinën, është hera e dytë që ndodh në një interval kohe prej 4 vitesh. Unë jam femër. As kam vrarë, as kam prerë, as kam bërë ndonjë krim që të ngrihem në orën 2 e gjysmë të natës dhe të gjej këtë që shikoni dhe vetë. Ju lutem se jeta ime është në rrezik, nuk mund të fle dot e qetë. Nuk mund të dal dot. Nuk mund të parkoj dot makinën jashtë shtëpisë se do e gjej në këtë gjendje. Unë kam dyshimet e mia se kush ma ka bërë. Kam parë skenën, kam parë personin që më ruante, i kam me emra, i kam me fakte. Personi është treguar neglizhent se ka harruar edhe bidonin e benzinës që e ka hedhur. I kërkoj shtetit që të paktën kësaj radhe të verë dorën në zemër, se kemi familjarë në shtëpi. Dyshoj për një konflikt shumë të vjetër që ka të bëjë me heqjen e mamasë time nga puna dikur”, tha ajo.