Shteti shqiptar e ka mjaftë të vështirë që të sigurojë mbrojtje dhe siguri edhe për punonjësit e tij të shërbimeve të inteligjencës. Në pjesën më të madhe të rasteve ata jo vetëm që zbulohen, apo njihen, por janë edhe të pasigurt për jetën dhe familjen.
Kjo ka ndodhur edhe mbrëmë në qytetin e Burrelit, i cili është tronditur nga një shpërthim lënde eksplozive që dyshohet për tritol.
Mësohet se sasia e lëndës plasëse ka shpërthyer në shtëpinë e punonjësit të SHISH-it të këtij qyteti, të cilin policia e ka identifikuar (dekonspiruar) në njoftimin e saj me emrin Alfred Karaj.
Ngjarja ka ndodhur pas orës 23:00, ndërkohë që kanë nisur menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen.
Shpërthim ndodhi në lagjen “Partizani”, ose siç njihet ndryshe tek zona e katrorit. Nga ky shpërthim i fortë, ka pasur vetëm dëme materiale dhe jo dëmtime apo lëndime në njerëz.
/Priza.al/