Ashensorët e pallateve në kryeqytet dhe në të gjithë vendin janë “mina me sahat” që nëse nuk mirëmbahen mund të shkaktojnë pasoja fatale për jetën e përdoruesve.
Nuk janë të pakta rastet e këputjes së ashensorëve në Tiranë, madje edhe me incidente tek qytetarët, por nga këto ngjarje nuk kanë munguar as viktimat.
Në shumë raste avaritë apo problemet ndodhin për shkak të përdorimit jo korrekt nga banorët të ashensorit, duke mos respektuar rregulloren që flet për mënyrën e përdorimit të tij.
Por ka edhe raste kur pallatet janë vjetruar prej viteve dhe po ashtu edhe ashensorët janë amortizuar. Sot teknologjia e ashensorëve ka evoluar mjaftë dhe këto pajisje që përdoren gjerësisht nga njerëzit janë bërë shumë të sigurta.
Por pallatet tona të reja të 20-25 viteve të fundit në fillimet e tyre kanë montuar ashensorë të modeleve të vjetra, të cilëve duket se tani u ka ardhur ora të ndërrohen.
Problemet me ashensorët dhe kompanitë mirëmbajtëse
Sa herë që në një pallat sidomos në kryeqytet, ndodh një defekt me ashensorin, banorët i kërkojnë llogari administratorit të pallatit (kur ka) ose personit të kompanisë që përgjigjet për mirëmbajtje.
Kompanitë që përgjigjen për mirëmbajtjen e tyre, vetëm në pak raste qëllon që janë korrekte dhe bëjnë të gjitha shërbimet e nevojshme. Në shumë raste teknikët apo dhe kompanitë e mirëmbajtjes, bëjnë manipulime si me radhën e shërbimeve ashtu dhe me pajisje të caktuara të ashensorëve.
Në jo pak raste kur janë prishur ashensorët e pallateve në kryeqytet, është konstatuar se shinat ku lëviz ashensori nuk kanë frena sigurie, që e mban ashensorit të mos bjerë në fund të tunelit në rast të shkëputjes së kavos së sigurisë.
Ndërkohë janë të shumta rastet kur ashensorët nuk kanë të instaluar baterinë e sigurisë, e cila shërben për të hapur ashensorin në katin më të parë, sapo në pallat shkëputet energjia.
Nga sa kemi mësuar, shumë teknik ashensorësh u shkëpusin fishën e autokarikimit këtyre baterive, pikërisht që të thirren herë pas here kur ashensorët bllokohen, si formë “presioni” për të marrë çdo muaj pagesën.
Por ka edhe raste kur teknikët e heqin fare baterinë e sigurisë, për ta shitur te një tjetër pallat apo një tjetër kompanie. Kjo gjë që sjell pasoja si te ashensori dhe siguria e banorëve, duhet konsideruar si vepër penale.
Incidenti me ashensorin në “Astir”
Të tjera detaje janë zbardhur nga incidenti i një dite më parë, ku ashensori i një pallati në zonën e “Astirit” u shkëput dhe ku mbetën të plagosura dy gra që ndodheshin brenda.
Sipas njoftimeve, njëra prej tyre ishte shtatzënë. Fatmirësisht ajo nuk ka pësuar dëmtime të rënda dhe aktualisht ndodhet në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
Në anën tjetër, 30-vjeçarja me iniciale M.S., është shtruar në spitalin e Traumës dhe ka pësuar dëmtime në gjymtyrë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për këtë incident, u vu në pranga tekniku i firmës së mirëmbajtjes, ndërsa u procedua penalisht vëllai i tij, njëkohësisht dhe administrator i firmës.
34-vjeçari Dritan Shabani, akuzohet se gjatë natës së kaluar, pavarësisht se ka qenë në krye të detyrës, nuk ka konstatuar problemin teknik që ka pasur ashensori i njërit prej pallateve të kompleksit.
/Priza.al/