‘Askush nuk është mbi ligjin’/ Ambasadorja e SHBA-ve: Kush pengon, të drejtën e qytetarëve për të votuar të lirë, të ndiqen plotësisht

Tensionimi i situatës elektorale në vend dhe ngjarjet e fundit në Elbasan, Kavajë dhe Vlorë, kanë sjellë një reagim zinxhir edhe nga diplomatët e vendeve Perëndimore të akredituar në Shqipëri.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka dhënë një mesazh të prerë pas tensioneve dhe përplasjeve që po ndodhin në vend, vetëm pak ditë para zgjedhjeve.

Kim shkruan se ka takuar disa nga zyrtarët e lartë të Policisë dhe të institucioneve të drejtësisë, të cilëve u ka kërkuar që të hetojnë çdo individ që tenton të pengojnë votën. Shkurt ajo shkruan se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

“Unë u takova me Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela; do të takohem së shpejti me shefin e SPAK, Arben Kraja; ndërsa dje u takova me Drejtorin e Policisë, Ardi Veliu. SHBA jep mesazh: Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të hetohen plotësisht. Asnjë trajtim i veçantë. Pa përjashtime. Askush nuk është mbi ligjin”,- shkruan ambasadorja Kim.

Ndërkohë që java e fundit e fushatës është e tejmbushur me incidente që kanë sjellë të plagosur madje dhe viktima. Dje, Pjerin Xhuvani u vra në Elbasan, ndërsa 4 persona të tjerë u plagosën.

Po ashtu vetëm pak ditë më parë një plagosje ndodhi në zyrën e PD në Kavajë, ndërsa përplasje ka pasur edhe Poliçan. Jo më larg se dje, Kim bëri thirrje që kryeministri Edi Rama, kryedemokrati Lulzim Basha dhe Presidenti Ilir Meta, të ulnin tensionet dhe të tregonin kujdes për gjuhën retorike.

Ky mesazh i fortë i ambasadores Yuri Kim, vjen një ditë pas thirrjes për vetëpërmbajtje ndaj krerëve të shtetit dhe politikës, dhënë pas konfliktit me armë në Elbasan.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *