“Ata funksiononin si qelizat e kancerit”, Rama kujton koalicionin me LSI-në. Ja çfarë i kërkonte Meta si shpërblim për miratimin e reformave

Kryeministri Rama është kthyer pas në kohë, teksa ka kujtuar koalicionin me LSI-në. Nga Fieri ai tha se kur ishin në koalicion, kanë bërë plot gjëra të mira. Por në të njëjtën kohë nënvizon se për një reformë që kërkonte PS-ja, LSI-ja kërkonte 10 vende pune, pasi nuk mbanin përgjegjësi për reformën. Kreu i qeverisë u shpreh se LSI-ja në qeveri funksionon si qeliza kanceri, pasi kërkonin vetëm vende pune. Prandaj Rama ka bërë të qartë se s’mund të ketë më kthim pas për Shqipërinë.

‘’Luli dhe PD nuk janë të lirë, janë të kapur për këmbësh nga Meta e Kryemadhi. Kur ishim në koalicion, kemi bërë plot gjëra të mira, ne për reforma, ata për vende pune. Për një reformë duheshin dhënë 10 vende punë andej. Sepse ata nuk mbanin përgjegjësi, ata funksiononin si qelizat e kancerit. Rritja dhe shpeshtimi i qelizave të kancerit është e njohur botërisht si pa qëllim. Vetëm për vetëasgjesim në fund, duke vetëasgjesuar gjithë organizmin. S’mund të kthehemi mbrapa”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë foli për një sërë refomash, e ndërsa shtoi nëse PD-ja vjen në pushtet, procesi i vaksinimit do të jetë një humbje. Nga procesi i rindërtimit, vaksinimi, turizmi, e një sërë hallkash të tjera për të cilën tha se është bërë shumë, dhe nuk do ndalet me kaq.

“Ne e kemi çliruar një pjesë të madhe nga plehrat. Do të shohim sesi i është vënë në punë impianti i madh i përpunimit të mbetjeve, por jo kudo çështja e plehrave është zgjidhur. Ne e kemi transformuar sistemin tonë shëndetësor, spitalet tona, por për fat të keq në sistemin tonë shëndetësor nuk është një Tire që u kap, por ka plot Tire që duhen nxjerrë jashtë sistemit. Ende nuk jemi në atë situatë ku njerëzit të jenë të qetësuar përfundimisht nga ato lajme që nuk janë të mira.

Sot fëmijët kur shkojnë në maturë e kanë të qartë që në universitet do të hyjnë aty ku e meritojnë. Të ketë një universitet të lidhur me spitalin. Të hapim një universitet mjekësie në Fier. Kjo bëhet duke vazhduar që të fitojmë betejën. Që armiku i padukshëm të jetë zhdukur. Kush do ti bëjë këto, kush do të vazhdojë ta vaksinojë popullin shqiptar? Kush mendoni ju se do të sigurojë vaksina, ata? Ai që u bën thirrje nga gropa dixhitale.

Harrojeni me ata edhe procesi i vaksinimit, që është tashmë i fituar, do jetë një humbje! Ata do të kthejnë në shtëpi njerëzit pas tërmetit! Do të kthehet në një zvarritje, procesi i rindërtimit, dhe nuk do të përfundojë. Me ata sezoni turistik do të dështojë. Nuk do të ndodhë, ky mesazh i imi është për ata shqiptarë që akoma u shkojnë nga mbrapa. Për ata që për inat të vjehrrës do të flenë më mullixhiun”, tha Rama.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *